Zvicrës do t’i mungojë një lojtar shumë i rëndësishëm në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në futboll.
Remo Freuler, që luan përkrah Granit Xhakës në mesfushë, ka thyer klavikulën dhe do të mungojë në ndeshjet me Suedinë dhe Kosovën.
Freuler e pësoi lëndimin në fundjavë, derisa po paraqitej për Bolognan në Serie A. Ai vlerësohet shumë i rëndësishëm për Zvicrën. Ka kompletuar të gjitha katër ndeshjet kualifikuese për Botëror. Mesfushori me përvojë është për më shumë se shtatë vjet i padiskutueshëm në përbërjen bazë të Zvicrës. I ka 11 gola e nëntë asistime në 84 paraqitje me helvetikët.
Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, të mërkurën e shpall listën për ndeshjet e fundit kualifikuese për Botërorin në SHBA, Meksikë e Kanada.
Më 15 nëntor është ndeshja Zvicër – Suedi, në Gjenevë, ndërsa më 18 nëntor Kosova e Zvicra takohen në “Fadil Vokrri”.
Zvicra udhëheq në grup me 10 pikë. Kosova i ka shtatë, Sllovenia tri e Suedia vetëm një. Me fitore ndaj Suedisë, Zvicra thuajse e siguron kualifikimin në Botëror. Nëse nuk ia del të fitojë, ndeshja në Prishtinë mund të jetë finale për vendin e parë në grup. Kjo natyrisht do të varet edhe nga rezultati i ndeshjes Slloveni – Kosovë, që zhvillohet më 15 nëntor në Lubjanë.
Freuleri duhet t’i nënshtrohet një operimi dhe do të kthehet pas disa javësh.
Kjo do të thotë se Murat Yakin duhet të bëjë disa ndryshime të minutës së fundit në planet e tij. Me Freulerin, ekipit do t’i mungojë ‘Zotëri i Besueshmi’, që luan përkrah Granit Xhakës në qendër të mesfushës. 33-vjeçari nga Zurichu ka munguar për herë të fundit në ndeshje garuese të Zvicrës më shumë se katër vjet më parë. Freuleri ka impresionuar me disa paraqitje bindëse në kualifikimet aktuale për Kupë të Botës”, ka shkruar sajti i televizionit zviceran, SRF.
Denis Zakaria po ashtu do t’i mungojë Zvicrës dhe kështu nuk është alternativë për ta zëvendësuar Freulerin. Edhe Zakaria është i lënduar. Kështu mund të hapet rruga që përkrah Xhakës të luajë Ardon Jashari. 23-vjeçari ka munguar për dy muaj për shkak të lëndimit, por u grumbullua te Milani për ndeshjen e së dielës ndaj Romës. Qëndroi në stol. Mbetet të shihet nëse ndeshjet me përfaqësuese janë shumë herët për Jasharin.
Selektori i Zvicrës, Yakin, e vlerëson shumë lart Freulerin.
Nuk e mbaj mend që Remo të ketë pasur ndeshje të keqe apo të ketë dështuar. Jam po ashtu i fascinuar me qasjen e tij strategjike ndaj ndeshjes, me mënyrën se si punon në mbrojtje dhe sulm dhe si shënon gola në momente vendimtare”, kishte thënë Yakin në tetor.

