Teknologji

Pse të rinjtë kanë ndaluar së postuari në rrjete sociale?

Screenshot

    Pas dy dekadash me postime të përditshme online, duket se njerëzit po postojnë gjithnjë e më pak.

    Një anketë e re tregon se gati një e treta e përdoruesve të rrjeteve sociale postojnë më rrallë se një vit më parë, dhe kjo vihet re sidomos te të rinjtë e brezit Gen Z (individët që kanë lindur në mes të viteve 1997 dhe 2012).

    Në një ese për revistën The New Yorker, shkrimtari Kyle Chayka e quajti këtë fenomen “posting zero”, një pikë ku njerëzit e zakonshëm ndihen se nuk ia vlen më të ndajnë jetën e tyre online.

    Edhe gazetarja e BBC-së, Katty Kay, ka thënë se e ka vënë re këtë ndryshim.

    Për çdo fotografi pushimi apo të fëmijëve të miqve, shoh dhjetëra apo qindra postime nga marka e influencerë që reklamojnë produkte ose trende të reja”, ka thënë ajo.

    Ajo ka shtuar se dikur rrjetet sociale dukeshin si një zgjatim i jetës reale, por, sipas saj, tani duken si “përmbajtje”, jo si shoqëri.

    Sipas Chaykas, kjo ndodh sepse vetë platformat kanë ndryshuar.

    “Rrjetet sociale janë bërë më pak sociale. Tani janë më shumë për konsumimin e përmbajtjeve të komercializuara, për aspirata jetese, jo për të ndarë çfarë po ndodh me miqtë e familjen. Kjo, sipas meje, ua heq kuptimin rrjeteve sociale”, ka thënë ai.

    Ai ka paralajmëruar se nëse njerëzit e zakonshëm humbin dëshirën për të postuar, rrjetet sociale do të bëhen si televizioni.

    “Do të mbeten vetëm reklamat, shtëpitë luksoze, veshjet e modës së shpejtë e hotelet. Dhe kjo nuk është më ajo përzierje e gjallë, e natyrshme që kishim dikur”, ka thënë ai.

    Kur Kay e pyet nëse platformat janë të shqetësuara për këtë rënie, Chayka përgjigjet duke thënë se përderisa konsumohet reklama, modeli i tyre do të vazhdojë të funksionojë.

    “Klientët e tyre kryesorë janë reklamuesit. Për sa kohë që ne vazhdojmë të shikojmë e të klikojmë, modeli i tyre funksionon”, ka thënë ai.

    Kay ka shtuar se shumë kompani po mbështeten te përmbajtja e krijuar nga inteligjenca artificiale, pasi ajo është “e pafundme, e lirë”, por, sipas tij, e pakuptimtë.

    Një tjetër prirje, ai thotë se është zhvendosja e komunikimit drejt bisedave private.

    “Njerëzit po ndajnë gjithnjë e më shumë përmes ‘direct messages’ ose grupeve të vogla. Po lëvizim drejt një mënyre më intime e më private të lidhjes online”, ka thënë ai.

    Për gjeneratat e reja, ky është ndoshta edhe një lloj reagimi ndaj ekspozimit të tepërt që nga viti 2010 e tutje.

    “Kemi mësuar anën e errët të shpërndarjes publike. Në fillim marrëveshja ishte e thjeshtë: nëse poston, mund të fitosh një audiencë të madhe. Por për shumëkënd kjo u shndërrua në një cikël të pafund që të gllabëron jetën. Përveç nëse do të bëhesh influencer, përfitimet janë shumë të vogla. Më mirë t’u shkruash miqve”, ka thënë Chayka.

    Ani pse Chayka beson se kemi kaluar “kulmin e rrjeteve sociale”, ai pranon se varësia ndaj telefonit nuk ka ikur.

    “Tani bisedat janë zhvendosur nga postimet publike te grupet private apo Snapchat. Varësia dhe shpërqendrimi janë ende aty, por të paktën jemi më pak të ekspozuar ndaj gjithë botës”, ka thënë ai.

    Sa për të ardhmen, ai mendon se njerëzit do të bëhen edhe më pasivë.

    “Në pesë vitet e ardhshme, përdorimi i telefonit do të ngjajë edhe më shumë me televizionin, shumë video, shumë përmbajtje profesionale, shumë algoritme. Ndërsa aspekti shoqëror do të kalojë në mesazhe ose ndoshta edhe në jetën reale”, ka thënë ai.

    Sipas tij, njerëzit çdo ditë e më shumë po i afrohen termit “posting zero”.

    “S’ka më arsye për të postuar selfie apo mëngjesin tënd, nëse askush s’të kushton vëmendje dhe je i rrethuar nga përmbajtje të pakuptimta. Ndoshta rrjetet sociale ishin një devijim, një ide e gabuar që çdo njeri duhet të ndajë jetën e vet me publikun. Tani po zgjohemi nga ajo ëndërr dhe po ndryshojmë zakonet tona”, ka thënë Chayka.