Shendetesi

Kombinimi i ri i ilaçeve ngadalëson një nga format më vdekjeprurëse të kancerit të prostatës

    Kombinimi i ri i ilaçeve ngadalëson një nga format më vdekjeprurëse të kancerit të prostatës
    Një kombinim i ri ilaçesh ka treguar se mund ta ngadalësojë ndjeshëm përparimin e kancerit të avancuar të prostatës te burrat që kanë mutacione të caktuara gjenetike.

    Studimi i madh ndërkombëtar, i udhëhequr nga studiues të University College London (UCL) dhe botuar në revistën Nature Medicine, ka analizuar efektin e shtimit të ilaçit niraparib, terapi e njohur si inhibitor i PARP, në trajtimin standard me abiraterone acetate dhe prednisone (AAP).

    Science Daily ka raportuar se qëllimi ishte të shihej nëse ky kombinim mund të përmirësonte rezultatet te pacientët me forma agresive të sëmundjes.

    Në Phase III AMPLITUDE, morën pjesë 696 burra nga 32 vende të botës, me moshë mesatare 68 vjeç. Të gjithë kishin kancer të prostatës që ishte përhapur në pjesë të tjera të trupit dhe kishin mutacione në gjenet që janë përgjegjëse për riparimin e ADN-së, proces që quhet “riparimi homolog i rekombinimit” (HRR). Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve (55.6 për qind) kishin mutacione në gjenet BRCA1 ose BRCA2.

    Këto gjene janë thelbësore për riparimin e ADN-së së dëmtuar. Kur ato nuk funksionojnë si duhet, qelizat e kancerit mund të shumohen më shpejt dhe të bëhen më agresive. Rreth një në katër pacientë me kancer të avancuar të prostatës kanë këto ndryshime gjenetike.

    “Ani pse trajtimet aktuale standarde janë shumë efektive për shumicën e pacientëve me kancer të avancuar të prostatës, një pjesë e vogël – por shumë e rëndësishme e tyre – përfitojnë më pak. Tani e dimë se kanceret me ndryshime në gjenet HRR kanë prirje të përsëriten më shpejt dhe janë më agresive. Duke shtuar niraparib në trajtim, ne mund të vonojmë rikthimin e kancerit dhe, shpresojmë, ta zgjasim ndjeshëm jetëgjatësinë”, ka thënë profesori Gerhardt Attard nga UCL Cancer Institute, që udhëhoqi studimin

    Ai ka shtuar gjithashtu se këto rezultate janë mbresëlënëse, sepse mbështesin testimin gjenetik të gjerë që në momentin e diagnostikimit dhe përdorimin e terapive të synuara për pacientët që përfitojnë më shumë.

    Për pacientët me mutacione në gjenet HRR, ku niraparib tashmë është aprovuar, mjeku duhet të diskutojë me ta përfitimet e qarta të ngadalësimit të sëmundjes krahasuar me rreziqet e efekteve anësore”, ka thënë ai.

    Efektet anësore dhe siguria

    Trajtimi u tolerua mirë në përgjithësi, por efektet anësore ishin më të shpeshta te grupi që mori niraparib. U raportuan më shumë raste të anemisë dhe tensionit të lartë të gjakut, dhe rreth 25 për qind e pacientëve kishin nevojë për transfuzion gjaku. Gjithashtu, u regjistruan 14 vdekje të lidhura me trajtimin në grupin që mori niraparib kundrejt 7 në grupin që mori placebo, megjithatë shkalla e ndalimit të trajtimit mbeti e ulët.

    Autorët kanë theksuar se rezultatet janë shumë premtuese, por kërkohet më shumë studim për të konfirmuar përfitimet afatgjata dhe për të parë ndikimin e teknikave të reja të imazherisë dhe testimeve më të gjera gjenetike.

    Në mbarë botën, çdo vit rreth 1.5 milionë burra diagnostikohen me kancer të prostatës.