Kosovë Lajme Shqipëri

Rama i përgjigjet VV-së: Para 10 vjetësh s’e njihte as himnin e Kosovës, jo më pafajësinë e Thaçit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje pasi kjo e fundit një ditë më parë tha se Rama duhet të tregojë pendesë sepse kishte ndikuar në bindjen e palëve për votimin e themelimit të Gjykatës Speciale.

    Rama ka thënë se LVV-ja po i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë “në çorbën e balotazheve komunale”. Ai i ka kujtuar se Specialja qe ngritur për trafikimin me organe, dhe jo “për të marrë peng presidentin” e Kosovës.

    Ai ka shtuar tutje se i ka denoncuar akuzat ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve sa herë ka qenë rasti a nevoja.

    “Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar kryeministri në X.

    Rama ka lënë të nënkuptohet se nuk do t’i bashkohet protestës për shkak se sipas tij mund të politizohet.

    “Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, ka thënë ai.