Lajme Rajon Sport

Vuçiqi e ka përjetuar rëndë humbjen nga Shqipëria

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka përjetuar rëndë humbjen e Serbisë nga Shqipëria. Ai ka kritikuar ashpër paraqitjen e Serbisë në ndeshjen kundër Shqipërisë. Ndeshja Serbi – Shqipëri u zhvillua të shtunën në Leskovc. Fitorja i takoi Shqipërisë me rezultat 1:0. Me fitore, Shqipëria ka bërë një hap të madh drejt plejofit për Kupën e Botës 2026.

    “Ekipi nuk ishte i përgatitur mirë, nuk luajti mirë, jemi të zhgënjyer, pësuam një humbje të rëndë. Nuk munda të flija për shkak të trishtimit, jo për shkak të zemërimit si disa njerëz të tjerë. Disa njerëz në vendin tonë prodhojnë vetëm zemërim”, ka thënë Vuçiq, njofton “blic.rs”.

    Ai ka thënë se i vjen keq që për shkak të lodhjes nuk ishte i pranishëm në stadiumin në Leskovc.

    Ai po ashtu ka thënë se shteti i ka qëndruar prapa duke ia plotësuar të gjitha kushtet përfaqësueses serbe të futbollit.

    A kemi futbollistë më të mirë se ata që kishim? Nuk kemi asnjë. Asnjëri prej tyre nuk luan. Kemi vetëm një lojtar që u paraqit mbrëma dhe ai është i vetmi që luan në Ligën e Kampionëve. Është një djalë, djali i vogël i Stankoviqit. Nuk ia di as emrin. Mbrëmë e pash për herë të parë në jetën time. Ai është i vetmi që luan në Ligën e Kampionëve. Askush tjetër nuk po luan. Shqiptarët kanë një ekip – lojtarë nga Lazio, Atalanta dhe nuk e di se cilat klube”, analizoi Vuçiqi ndeshjen e luajtur të shtunën gjatë një vizite në punimet e rinovimit të Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë të Qendrës Klinike të Serbisë.