Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, tha se tetë fëmijë ukrainas janë ribashkuar me familjet e tyre në 24 orët e fundit në “një përpjekje të vazhdueshme” që vjen pas tre muajsh komunikim të drejtpërdrejtë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Melania Trump tha se Putin kishte reaguar ndaj letrës së saj, përmes së cilës ajo ngriti çështjen e fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi. Këtë letër, presidenti amerikan, Donald Trump, ia kishte dorëzuar homologut të tij rus gjatë takimit të tyre në Alaskë gjatë muajit gusht.
Ai mu përgjigj me shkrim, duke treguar gatishmëri për t’u angazhuar me mua direkt dhe duke dhënë detaje sa i përket fëmijëve ukrainas që jetojnë në Rusi”, tha ajo për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë më 10 tetor.
“Rusia ka treguar gatishmëri për të zbuluar informacione objektive dhe të detajuara që pasqyrojnë situatën aktuale”, shtoi ajo.
Melania Trump më pas njoftoi se tetë fëmijë ukrainas veçse janë ribashkuar me familjet e tyre, duke shtuar se ajo kishte marrë “një raport të detajuar” për ta.
“Ne duhet të ndërtojmë një të ardhme për fëmijët tanë që është e pasur me potencial, e sigurt dhe e mbushur me vullnet të lirë”, tha ajo.
Pushtimi rus i Ukrainës – që nisi më 2022 – ka bërë që mijëra fëmijë ukrainas të përfundojnë në Rusi apo në territore të kontrolluara nga rusët në Ukrainë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrestime më 2023 për Putinin dhe komisionaren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, në lidhje me dëbimin e fëmijëve ukrainas.
Rusia ka mohuar çdo keqbërje dhe ka pretenduar se po se evakuonte fëmijët ukrainas nga zonat e konfliktit për t’u ofruar atyre mbrojtje nga lufta.
Në fillim të vitit 2025, Kievi vlerësoi se më shumë se 19.500 fëmijë ukrainas po mbaheshin nga Rusia.
Gjatë takimit të tyre në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në fund të shtatorit, Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, e falënderoi Melania Trumpin për “mbështetjen ndaj Ukrainës” dhe për “vëmendjen e veçantë ndaj fëmijëve që u bënë viktima të luftës brutale të Rusisë”.