Më shumë se 20 mijë shqiptarë me origjinë nga Maqedonia e Veriut pritet të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë përmes dyshtetësisë. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e tyre e kanë shtetësinë kosovare të rregulluar nga rajonet e Kumanovës dhe Likovës, të ndjekura nga Shkupi, Tetova, Kërçova, Struga dhe Dibra.
Tradita e pjesëmarrjes së tyre është e dukshme në çdo cikël zgjedhor. Shumica e votuesve organizohen familjarisht, duke ardhur bashkërisht për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Përveç procesit zgjedhor, dita e votimit shndërrohet edhe në një mundësi sociale: shumë prej tyre e shfrytëzojnë kohën për të bërë pazar në qytete të ndryshme të Kosovës ose për të vizituar të afërmit e tyre.
Ky fenomen, i cili përsëritet në çdo palë zgjedhjesh, dëshmon lidhjet e ngushta politike, shoqërore dhe familjare midis shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës./press7.tv