Lajme Maqedoni

“Kush e sheh politikën si pushtet, bëhet rob i saj” – Arben Fetai në konventën e VLEN: Më 19 tetor nis ndryshimi

    Ne nuk kërkojmë votën për të shpëtuar veten, por për të shpëtuar vendin nga rrëmuja që kanë lënë ata që u shitën si patriotë.”

    Këtë e tha kandidati Arben Fetai gjatë konventës promovuese të koalicionit VLEN, duke theksuar se zgjedhjet lokale të 19 tetorit janë një mundësi reale për të kthyer besimin te politika dhe për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja.

    Në fjalimin e tij para mbështetësve, Fetai u shpreh se koha e partive që e kanë përdorur pushtetin për interesa personale ka marrë fund, duke përmendur drejtpërdrejt BDI-në, të cilën e akuzoi për korrupsion dhe izolim politik.

    “BDI është izoluar. Nuk i afrohet askush, sepse askush nuk dëshiron të njolloset me më të korruptuarit. Lista e zezë nuk ka mbaruar me Artan Grubin. Ata janë në pritje, me zemrën që u dridhet, se kush do të jetë emri i radhës në atë listë,” deklaroi Fetai.

    Sipas tij, në vend të përballjes me drejtësinë dhe përgjegjësinë politike, zyrtarë të BDI-së vazhdojnë të fshihen pas patriotizmit të rremë, ndërkohë që kanë kontribuar në amnistimin e figurave të përfshira në skandale të mëdha, siç është rasti i Sasho Mijallkovit.

    “Ndërkohë që populli kërkon drejtësi, Sasho Mijallkovi shetit me Ferrari në Monako. Dhe kush e ndihmoi të shpëtojë? Me urdhër të Ali Ahmetit, Artan Grubi ishte pjesë e këtij plani. Sot ai endet me mjekër të lëshuar, si kacak, sepse e di çfarë ka bërë,” shtoi Fetai.

    Në konventën e mbajtur, ai theksoi se shqiptarët nuk duhet të pranojnë më etiketime fyese nga partitë që, sipas tij, e kanë tradhtuar interesin kombëtar.

    “Na quajtën zagarë, por shqiptarët nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë zagarë. Kemi dinjitet dhe nuk do ta lejojmë më askënd të luajë me fatin tonë,” tha ai.

    Fetai e mbylli fjalimin me një mesazh të qartë për votuesit:

    “Kush e sheh politikën si pushtet, përfundon rob i saj. Kush e sheh si mision, ndryshon historinë. Ne këtë po bëjmë – dhe më 19 tetor do ta bëjmë sërish.”