Botë Lajme

Rubin për Qeverinë serbe: Gjithmonë janë përpjekur ta fajësojnë UÇK-në për krimet e tyre

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin, i cili është duke dëshmuar me autorizimin e Qeverisë Amerikane, tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

    Ai pohoi se forcat serbe kanë mbuluar krimet, duke i fshehur provat që të mos ketë llogaridhënie pas arritjes së NATO-s në Kosovë. Pra, që të mos ketë prova të disponueshme për Tribunalin për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Po ashtu, Rubin pohoi se Qeveria serbe nuk po vepronte sipas asaj që kuptohet si luftë konvecionale, por po vepronin si kriminelë për t’i fshehur krimet.

    “Është karakteristikë që kemi parë në Bosnje dhe përsëri në Kosovë… ata gjithmonë janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në. Pra, Qeveria Serbe. Kjo është mënyra që ata e justifikonin atë që po bënin duke hedhur fajin tek të tjerët”, tha ai.
    Rubin përmendi edhe një takim që kishte pasur me Jakup Krasniqin në Bruksel, ku Krasniqi i kishte kërkuar ndërhyrje ushtarake të Amerikës, armatosjen e UÇK-së dhe ndalimin e spastrimit etnik nga Slobodan Millosheviq.

    Dëshmitari tha se kërkesat e Krasniqit ishin racionale në atë kohë, por ishte e pamundur që të realizoheshin në atë periudhë kohore.

    Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit për dëshmitarin dhe do të vazhdojë me pyetje Prokuroria, përfaqësuar nga prokurori James Pace.
    Prokurori Pace tha se i duhen 4 orë për pyetjet e tij.