Lajme Maqedoni

Arben Fetai: “Kurrë më BDI! Shqiptarët janë të gërditur nga mashtrimet e tyre”

    Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj BDI-së dhe përpjekjes së saj për t’u ribrenduar në “AKI”.

    Në një reagim publik, Fetai theksoi se shqiptarët kudo në vend janë të zhgënjyer dhe të irrituar nga ky subjekt politik, duke nënvizuar se për 22 vite pushtet BDI-ja ka ndërtuar vetëm “mashtrim, korrupsion dhe poshtërim ndaj shqiptarëve”.

    “Kurrë më BDI! Është e paimagjinueshme sa thellë i gërditur është populli ynë nga ky subjekt. Përpjekja e tyre qesharake për t’u ribrenduar si ‘AKI’ ka rritur edhe më tej irritimin e shqiptarëve”, tha Fetai.

    Ai akuzoi drejtuesit e BDI-së se kanë tradhtuar besimin e shqiptarëve për pushtet dhe sot, të kapluar nga paniku, tentojnë të krijojnë kaos politik.

    “Për 22 vjet, qeverisja e tyre ka qenë një shfaqje e neveritshme mashtrimi: gënje këtu, vidh atje, kërcëno me vende pune, burgos një, poshtëro tjetrin. Ky është modeli i tyre i qeverisjes”, u shpreh zv/kryeministri.

    Fetai përmendi edhe fjalët e Arbën Xhaferit se “anarkia është pasoja më e hidhur e demokracisë së keqpërdorur”, duke shtuar se pikërisht këtë po bën sot opozita shqiptare në vend.

    Sipas tij, kjo opozitë është e “rraskapitur, e diskredituar dhe pa ide”, ndërsa e vetmja shpresë për shqiptarët është që ajo të kalojë një “kura të gjatë opozitare” për t’u reformuar./press7.tv