Gjykata Kushtetuese përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e saj për siç ka thënë “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”.
Tutje theksohet se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet tutje në komunikatë.
Theksohet e vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit. Gjykata apelon tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues. Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Edhe shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, ka kërkuar të ndalen sulmet ndaj gjyqtarëve.
Në një postim në profilin e tij në X ka thënë se pavarësia gjyqësore është gurthemel i sundimit të ligjit.
Akuza të shumta në drejtim të Gjykatës Kushtetuese kanë bërë të dielën kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti ka thënë se “gjykata më e lartë në vend po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”.
Akuzat janë bërë pas vendimit të së premtes të Kushtetueses që ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Kurti ka thënë se me këtë vendim gjykata i ka lënë 120 deputetë të vegjetojnë për 25 ditë.
Ka shtuar se faj për vonesën në formimin e institucioneve ka edhe Kushtetuesja, me dinamikën e ngadalshme të punës, sipas tij.
Me Gjykatën Kushtetuese është marrë edhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai ka folur për një vendim që mund ta marrë gjykata që, sipas tij, do të ishte tradhti kombëtare.