Kosovë Lajme

Milanoviq reagon pas hetimeve për spiunazh ndaj pilotit kroat të KFOR-it

    Presidenti kroat Zoran Milanoviq ka reaguar pas hetimeve ndaj një oficeri të Forcave të Armatosura Kroate, i cili dyshohet për spiunazh. Mediat kroate raportuan se piloti i KFOR-it dhe e dashura e tij serbe nga Kosova janë marrë në pyetje për dyshime se kanë ndarë informacione për lëvizjet e KFOR-it me Listën Serbe.

    Një ditë më parë në mediat kroate u raportua se autoritetet kroate kanë marrë në pyetje një pilot kroat të KFOR-it dhe të dashurën e tij, një grua serbe nga Kosova, nën dyshimet se ai i kishte dhënë asaj informata mbi lëvizjet e KFOR-it përgjatë viteve, ndërsa ajo i ka përcjellë këto informacione Listës Serbe.

    Lidhur me këtë çështje dhe hetimin e nisur kundër oficerit të Forcave të Armatosura Kroate J.I. (54), i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit sipas nenit 348, paragrafi 1 i Kodit Penal, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për të gjitha institucionet e Republikës së Kroacisë, në radhë të parë për Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake (VSOA).

    Ai ka theksuar se aktivitetet e këtyre institucioneve kanë përcaktuar mundësinë e kryerjes së veprave penale në dëm të Republikës së Kroacisë dhe kanë ndërmarrë masa përkatëse për të identifikuar autorët e mundshëm dhe për të parandaluar veprime të mëtejshme.

    Presidenti kroat ka bërë të ditur se është i informuar me kohë për aktivitetet e institucioneve kompetente dhe pret një hetim efikas që do të përcaktojë të gjitha faktet përkatëse.

    “Çdo anëtar i Forcave të Armatosura Kroate duhet të kryejë detyrën ushtarake me nder, ndershmëri dhe në përputhje me ligjin, dhe nëse konstatohet ndonjë shkelje e ligjit dhe betimit, ajo duhet të ndëshkohet në mënyrë të përshtatshme,” ka deklaruar Milanoviq.

    Mediat kroate njoftojnë se piloti i Forcave të Armatosura Kroate, J.I. (54), dhe partnerja e tij, A.M. (46), shtetase serbe, janë vendosur në paraburgim për të mos penguar hetimin. Prokuroria e Qarkut në Split konfirmoi sot se ka hapur hetim kundër tyre për spiunazh.