Artikulli është përditësuar – Tre persona janë vrarë e disa janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan të dielën në mesditë, kanë konfirmuar autoritetet.
Fillimisht Policia e Kosovës njoftoi se vdekja e dy personave është konstatuar në vendin e ngjarjes, në rrugën “Ibrahim Rugova”. U tha po ashtu se dy të plagosurve u është ofruar ndihma në qendrën emergjente në Gjilan. Nuk qe njoftuar për gjendjen e tyre. E më pas, në spitalin e Gjilanit kanë thënë se në vend të ngjarjes është konstatuar një rast i vdekjes, e dy të tjerë janë dërguar në Emergjencë pa shenja jete.
“Një rast tjetër është transferuar për në QKUK dhe një tjetër është pranuar në Ortopedi. Gjendjen nuk mund ta përshkruajmë, por do të shohim nëse ndryshon diçka në ndonjë moment të caktuar”, ka thënë Kudret Rexhepi nga zyra për media në Spitalin e Gjilanit.
Në vendin e ngjarjes janë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit.
Policia e Kosovës është duke kërkuar tre persona të dyshuar për vrasjen e trefishtë.
Mefail Shkodra 53-vjeçar dhe djemtë e tij Edonis Shkodra 25-vjeçar dhe Engjull Shkodra 22-vjeçar janë duke u kërkuar nga Policia.