Botë Lajme

Nevoja për forcë pune – Bullgaria premton strehim, shpërngulje dhe vende pune për diasporën e vet

Screenshot

    Bullgaria ka ndërmarrë një nismë për të tërhequr qytetarët që kanë emigruar apo e kanë ndërtuar jetën e tyre jashtë vendit, për t’u kthyer në vendlindje kundrejt kushteve dhe pagesave të mira.

    Programi i Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale do të vihet në veprim nga vjeshta nën emrin “Unë zgjedh Bullgarinë” dhe për përfituesit është parashikuar të shpërndahen mbi 33 milionë euro.

    Zv.ministrja Natalia Efremova deklaroi në një intervistë për agjencinë vendase BTA se të paktën 870 persona mund të mbulohen nga nisma. “Të mos harrojmë se shumë prej tyre mbase do të kthehen bashkë me familjet – partnerët, fëmijët. Presim që 1.170 persona të përfitojnë nga masat për punësim dhe për mbështetjen për të jetuar në një qytet me më pak se 50.000 banorë,” tha znj. Efremova.

    Bizneset në Bullgari kanë raportuar një mungesë të forcës së punës që arrin deri në 260 mijë punëtorë. Sipas programit social, ata që pranojnë të kthehen në vend për të punuar do të ndihmohen me transportin falas të mobilieve nga shteti ku jetojnë aktualisht, si dhe në gjetjen e një vendi pune. Për të shkuar deri në vendin e punës do të jepet edhe një dietë ditore që nis nga 1 euro deri në 3,5 euro, ndërsa punonjësit e rinj do të ndihmohen edhe me stimuj financiarë për të zbutur disi ndryshimin në pagesë me shtetin e tyre të origjinës, duke qenë se rrogat në Bullgari mund të rezultojnë më të ulëta.

    “Për të përfituar nga ndihma europiane, aplikuesit duhet të plotësojnë dy kritere: ose të kenë jetuar jashtë për 12 nga 18 muajt e fundit, ose të jenë arsimuar së fundmi jashtë vendit. Në të dyja rastet duhet ta provojnë këtë me dokumente në fazën e aplikimit,” shpjegoi zëvendësministrja e Punës dhe Politikave Sociale.

    Në vitin 2024, Bullgaria lëshoi 36 mijë leje pune për shtetasit e huaj nga 79 vende të botës. Shumica prej tyre ishin shtetas nga Turqia, Uzbekistani, Nepali dhe Moldavia. Vetëm sektori bullgar i turizmit raportohet se ka nevojë për të paktën 50 mijë punëtorë për të plotësuar kërkesat sezonale. /BTA, BNR