Bekim Qoku, përfaqësues i Koalicionit VLEN dhe pjesë e qeverisë aktuale, ka reaguar me tone të forta ndaj dështimeve shumëvjeçare të BDI-së për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, një projekt i shumëpërfolur por i lënë në harresë për më shumë se 16 vite.
“Ky projekt është premtuar që nga viti 2008, atëherë kur Musa Xhaferi, si zëvendëskryeministër, dilte me plot zell e siguri se rruga do të ndërtohej menjëherë. Premtimi i tij dështoi, ashtu si edhe shumë të tjera të BDI-së që u kthyen në refren elektoral pa asnjë rezultat konkret,” deklaroi Qoku.
Ai theksoi se ndryshe nga e kaluara, sot puna për këtë rrugë ka nisur konkretisht. “Me VLEN-in pjesë të qeverisë, nuk kemi më vetëm fjalë, por veprime. Rruga Shkup–Bllacë nuk është më në letër – është në ndërtim,” tha ai.
Qoku shtoi se qeverisja e re ka ndryshuar qasjen: “Ne nuk jemi për ta mashtruar popullin me ‘do të bëjmë’, por për ta dëshmuar me ‘e bëmë’. BDI-ja ishte mjeshtre e propagandës. Ne po jemi menaxherë të punës konkrete.”
Përmes këtij zhvillimi, Qoku e sheh autostradën si simbol të ndarjes mes mashtrimit dhe realizimit: “Sot s’ka më premtime të ricikluara. Ka punë. Dhe kjo është diferenca që solli VLEN.”/ press7.tv