Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një takim me partnerët e koalicionit të Frontit Evropian, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të tetorit. Në këtë mbledhje nuk ka qenë i pranishëm Arben Taravari, udhëheqësi i njërës prej fraksioneve të Aleancës për Shqiptarët (ASH).
Sipas burimeve nga takimi, një nga çështjet kryesore të diskutuara ka qenë mundësia për riemërtimin e koalicionit në zgjedhjet e ardhshme. Emri i propozuar për shqyrtim është “Aleanca Kombëtare për Integrim”, i cili pritet të trajtohet më tej nga palët.
Gjithashtu, është hapur diskutimi për ndarjen e komunave ndërmjet partive partnere, megjithatë pa u hyrë në detaje për emrat apo formulat specifike të ndarjes. Sipas informacioneve jozyrtare, BDI do të garojë me kandidatë në Tetovë, Kërçovë, Çair dhe komuna të tjera rurale; krahu i Taravarit në ASH do të ketë kandidatë në Gostivar, Vrapçisht, Saraj dhe komuna të tjera të përbashkëta; ndërsa krahu i Ziadin Selës do të mbulojë Strugën, Dibrën, Haraçinën dhe disa komuna të tjera me ndarje të dakorduar./press7.tv