ShowBiz

Media zvicerane ‘Watson’: Noizy akuzohet jo për një, por për disa vepra penale në Zvicër

    Policia kantonale e Cyrihut të shtunën e kaluar ka arrestuar reperin e njohur shqiptar Noizy në Aeroportin e Cyrihut, me urdhër të Prokurorisë I për Krime të Rënda me Dhunë.

    Lajmi është bërë i ditur të hënën, por autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për shkaqet e arrestimit, shkruan media zvicerane Watson.ch.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë të martën, 38-vjeçari akuzohet për disa vepra penale, për të cilat është duke u zhvilluar një procedurë penale. Për shkak të procesit ende në zhvillim, nuk janë dhënë më shumë hollësi.

    Prokuroria ka kërkuar nga gjykata për masat e detyrueshme që Noizy të mbahet në paraburgim, por ende nuk është marrë një vendim zyrtar. Deri në shpalljen e një gjykimi përfundimtar, reperi gëzon prezumimin e pafajësisë.

    Noizy kishte planifikuar të performonte të shtunën mbrëma në klubin Rinora 4 në Rümlang, ku pritej të prezantonte albumin e tij të ri para publikut zviceran. Megjithatë, planet u ndërprenë në momentin që reperi mbërriti në Zvicër dhe u arrestua menjëherë në aeroport. Eventi u anulua dhe të gjitha njoftimet për koncertin u fshinë nga rrjetet sociale.

    Noizy, një nga emrat më të njohur të muzikës urbane shqiptare, numëron afro katër milionë ndjekës në Spotify dhe mbi dy milionë ndjekës në Instagram. Ai ka qenë edhe në qendër të vëmendjes publike kur ka ndarë skenën me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fushatës së tij zgjedhore dhe pas rizgjedhjes.

    Për momentin, Noizy ndodhet në paraburgim në Zvicër, dhe mbetet të shihet se si do të zhvillohet më tej procesi ndaj tij. /Telegrafi/