Kryeministri Hristijan Mickoski ka sinjalizuar lëvizje të mëdha brenda qeverisë, duke lënë të hapur mundësinë e zëvendësimeve në pozitat e Aleancës për Shqiptarët që ndjekin kursin e Arben Taravarit. I pyetur nëse zëvendëskryeministri Arben Fetai do të mbetet në detyrë dhe kur do të bëhen publike emrat e rinj që do të zëvendësojnë kuadrot e ASH-së, ai tha se gjatë kësaj jave do të qartësohen shumë zhvillime.
Në deklaratën e tij, Mickoski vuri theksin te formësimi i dy blloqeve politike në prag të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen brenda pesë muajve. “Do të kemi përballje mes bllokut të krimit dhe të së kaluarës, dhe bllokut të së ardhmes dhe progresit. Për fat të keq, Taravari vendosi të pozicionohet në anën e gabuar, krah atyre që janë përballur me sanksione dhe akuza për korrupsion,” u shpreh Mickoski.
Ai njoftoi gjithashtu se gjatë kësaj jave do të takohet me përfaqësuesit e koalicionit VLEN për të diskutuar një platformë të qartë qeverisëse, që do të shtrihet deri në zgjedhjet lokale dhe më tej. Në sfondin e krizës politike brenda ASH-së, qeveria pritet të rikonfigurohet për të ruajtur stabilitetin dhe vijimin e agjendës së reformave.