Lajme Maqedoni

Fronti Europian ende pa vendim për zgjedhjet lokale, Ahmeti: Brenda javës mblidhen organet e BDI-së

    Fronti Europian nuk ka marrë ende një vendim për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale. Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, deklaroi se kjo çështje do të diskutohet me të gjitha palët e përfshira në koalicion.

    “Ende nuk është biseduar kjo çështje. Do të thirren të gjitha palët e Frontit dhe do të shqyrtohet e tërë situata,” tha Ahmeti. Ai shtoi se gjatë kësaj jave BDI do të thërrasë organet më të larta të partisë për të zhvilluar një mbledhje vendimmarrëse.

    Ahmeti komentoi gjithashtu largimin e Arben Taravarit nga koalicioni VLEN, duke e cilësuar si një hap të guximshëm.

    “E vlerësojmë vendimin e z. Taravari, që e ka kuptuar shumë herët se kjo qeveri nuk është gjë tjetër veçse një qeveri antishqiptare,” u shpreh Ahmeti.

    I pyetur për mundësinë e bashkëpunimit të ardhshëm me Taravarin, lideri i BDI-së nuk e përjashtoi një gjë të tillë, por la të hapur çdo skenar, në varësi të zhvillimeve politike.

    “Nuk ka ndonjë strategji të ndërtuar për këtë. Z. Taravari vetë tha ‘nuk kam lindur në qeveri’. Në momentin që e konsideron veten të papranueshëm apo të papërshtatshëm, mund të largohet. Por këto janë çështje të tij personale, jo të BDI-së apo të Frontit Europian,” përfundoi Ahmeti.