Maqedoni

VLEN kërkon hetim për lidhjet e familjes Ahmeti me Alta Bankën pas revokimit të licencës së saj

    VLEN ka kërkuar zbardhjen e marrëdhënieve afariste ndërmjet njerëzve të afërt me familjen e Ali Ahmetit dhe Alta Bankës në Beograd, pas vendimit të Bankës Popullore të Serbisë për t’ia revokuar licencën këtij institucioni financiar.
    Në një komunikatë, VLEN e lidh këtë zhvillim me humbjen e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi, duke rikthyer vëmendjen te disa transaksione dhe marrëdhënie afariste që, sipas saj, kanë ekzistuar ndërmjet kompanive të afërta me pushtetin serb dhe personave të afërt me BDI-në.
    Sipas VLEN-it, në korrik të vitit 2021, kompania serbe MTEL hyri në tregun e Maqedonisë së Veriut, në kohën kur BDI ishte pjesë e Qeverisë dhe Bujar Osmani drejtonte Ministrinë e Punëve të Jashtme. VLEN pretendon se gjatë asaj periudhe Osmani zhvilloi të paktën 11 takime me zyrtarë serbë, procesverbalet e të cilave, sipas saj, ende nuk janë bërë publike.
    Komunikata përmend edhe kompaninë AS Senjak, të cilën VLEN e lidh me krushkun e Ali Ahmetit. Sipas saj, më 24 tetor 2024, kjo kompani fitoi aksione në Stopanska Banka Bitola nga një kompani e lidhur me Sasho Mijallkovin.
    Më tej, VLEN pretendon se më 9 qershor 2025, një kompani ku AS Senjak është bashkëpronare mori kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd, ndërsa më 17 shtator të po këtij viti aksionet iu shitën kësaj banke. Gjashtë ditë më vonë, sipas komunikatës, një komunë e udhëhequr nga BDI-ja i dha AS Senjakut dy kontrata me vlerë prej 90 milionë denarësh.
    Për këto çështje, VLEN kërkon që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria Publike të hetojnë transaksionet, kredinë prej 5 milionë eurosh dhe kontratat e dhëna nga komunat e udhëhequra nga BDI-ja.
    Po ashtu, kërkon që institucionet kompetente të kërkojnë nga autoritetet serbe informacione për lidhjet e Alta Bankës me kompanitë nga Maqedonia e Veriut, ndërsa BDI-së i kërkon publikimin e procesverbaleve të takimeve të Bujar Osmanit dhe Ali Ahmetit me Aleksandar Vuçiqin dhe zyrtarë të tjerë serbë.
    VLEN thekson se dokumentacionin përkatës e ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që nga shtatori i vitit 2025, ndërsa akuzon Ali Ahmetin dhe BDI-në se ende nuk kanë dhënë përgjigje për këto çështje.
    Në fund, VLEN kërkon nga Ali Ahmeti që personalisht të sqarojë marrëdhëniet afariste të kompanisë së krushkut të tij me Sasho Mijallkovin dhe Alta Bankën, duke theksuar se qytetarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi institucionale.