Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka kritikuar ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për takimet dhe fotografitë e përbashkëta me Milan Radoiçiqin, të cilin e ka cilësuar si përgjegjësin kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), Konjufca ka vënë në pikëpyetje angazhimin e Serbisë për integrimin evropian, duke iu referuar lidhjeve të Gjuriqit me Radoiçiqin.
“Kur flasim për të ardhmen, të ardhmen evropiane me të cilën ministri Gjuriq shprehet aq i obsesionuar, dua t’i jap një këshillë: të mos takohet me Radoiçiqin. Fotografitë e tij bashkë me Radoiçiqin, nuk e di se çfarë përmbajnë bisedat mes atyre dyve. Por ai është person që kërkohet nga Interpoli”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka shtuar se takimet e një ministri të Jashtëm të një shteti kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian me një person të kërkuar nga Interpoli ngrenë pikëpyetje për synimet e deklaruara të Serbisë për integrim evropian.
Konjufca: Kosova është shtet shumëetnik dhe me harmoni fetare
Konjufca i është kundërpërgjigjur Gjuriqit edhe lidhur me pretendimet për incidente fetare në Kosovë, duke theksuar se vendi karakterizohet nga bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve dhe harmonisë fetare.
Ai ka përmendur zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka-Pula, së cilës iu referua si presidente e besimit katolik, si dëshmi të karakterit shumëetnik të Kosovës.
“ Kosova është shtet shumëetnik, harmonia fetare ka qenë një nga tiparet më të theksuara të popullit tim. Si mund të jemi shtet ekstremist në aspektin fetar kur ne rishtazi kemi zgjedhur një presidente që vjen nga feja katolike?”, ka thënë Konjufca.
Ai ka akuzuar Serbinë se e shfrytëzon çështjen fetare për të nxitur ndarje etnike dhe për të ruajtur marrëdhënie të tensionuara ndërmjet komuniteteve.
Konjufca për Masakrën e Mejës: A kështu e mbron Serbia krishterizmin?
Në fjalën e tij para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Konjufca ka përmendur edhe vrasjen e civilëve shqiptarë katolikë gjatë luftës në Kosovë, duke u ndalur veçanërisht te Masakra e Mejës, e kryer në prill të vitit 1999.
Ai ka thënë se një numër i madh i viktimave civile gjatë luftës ishin shqiptarë të besimit katolik, të vrarë nga forcat serbe, dhe e ka përdorur këtë argument për të kundërshtuar pretendimet e Gjuriqit lidhur me mbrojtjen e krishterizmit.
“Gjatë luftës një numër i madh i viktimave civile ishin shqiptarë katolikë të vrarë nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare të Serbisë. Masakra jonë më e madhe në vitin 1999 ishte Masakra e Mejës, e kemi quajtur Srebrenica jonë, sepse është masakra më e madhe nga të gjitha. Aty u vranë 377 persona, shumica nga ta popullatë katolike me fe. Kjo është kur flasim se sa Serbia e mbron krishterizmin në botë”, ka deklaruar ai.
Konjufca ka vlerësuar se, përmes asaj që e cilësoi si nxitje të incidenteve të rreme fetare, Serbia po vazhdon atë që ai e përshkroi si luftë hibride kundër Kosovës.
“Ai është vazhdim i luftës hibride përmes nxitjes së incidenteve të rreme fetare”, ka përfunduar Konjufca.

