Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokatja, Sophie Menegon ka thënë që vendimi i trupit gjykues ndaj klientit të saj duhet të bazohet në prova dhe rrjedhimisht ai të lirohet.
Sipas saj, vendimi nuk duhet të mbështetët në spekulimet e Prokurorisë.
“Prokuroria iu kërkon juve që të dërgoni në burg z. Thaçi për 6 vjet për biseda që janë bërë në qendrën e paraburgimit të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale. Ne kërkojmë që vendimi i juaj që të bazohet në prova dhe jo në spekulime edhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.
Përveç kësaj, Menegon tha se dëshmitarët që janë përmendur në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve kanë pohuar se nuk janë ndikuar nga askush.
“Dëshmitarët e përmendur në aktakuzë siç është Mustafa, Bislim Zyrapi apo dëshmitari 4 kur janë marrë në pyetje nga ZPS-ja kanë pohuar se nuk ka ndërhyrë askush tek ata. Edhe në qoftë se një pjesë e informacionit pretendohet se është përmendur nga Thaçi gjatë vizitave ishte i klasifikuar si konfidencial në çështjen 6 në praktik, pjesa më e madhe e tij ishte në fushën publike apo që njihej nga vizitorët e Thaçit”, tha Menegon.
Rrjedhimisht, Menegon tha se në praktikë nuk ka asnjë viktimë në këtë çështje.
“Në praktikë nuk ka asnjë viktimë në këtë çështje”, tha ajo.
Menegon tha se Thaçi akuzohet për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes veprimeve të përbashkëta në një grup. Sipas saj, krimet e pretenduara nuk ndiqen pothuajse kurrë penalisht në Kosovë.
“ZPS-ja e bën këtë për të justifikuar masat tejet ndërhyrëse që janë marrë ndaj Thaçi për muaj të tërë. Incizimet e bisedave të tij, bisedave telefonike, bisedat e privilegjuara përfshirë edhe ato me bashkëshorten dhe djalin e tij”, tha ajo.
Menegon shtoi se provat e prokurorisë janë të dobëta nga ana ligjore dhe ajo faktike.
Avokatja tha se Prokuroria nuk ka prova për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
“ZPS-ja pretendon se janë dëmtuar provat… Mirëpo, meqë nuk kanë prova për një gjë të tillë, ZPS-ja pretendon dhe jep një imazh të pavërtetë të ndërhyrjes së dëshmitarëve me forcë. Pra, është e qartë që ZPS-ja ka shtrembëruar kuptimin e nenit 401 i cili nuk ka lidhje fare me pretendimet që ka ngritur ZPS-ja në këtë çështja gjyqësore apo me interesat që ZPS-ja po pretendon se po mbron”, tha ajo.
Menegon tha se Thaçi akuzohet edhe me shkeljen e fshehtësisë së procesit sipas nenit 392 të KPK-së.
Ajo tha se ZPS-ja për t’u mbështetur në këtë nen duhet të vërtetojë se marrësi i informacionit nuk ka qenë në dijeni më parë të informacionit që iu është nxjerrë.
Menegon shtoi se aktakuza është inkoherente sa i përket përgjegjësisë penale.
Sa i përket ndërhyrjes ajo tha se nuk ka asnjë provë dhe nuk ka asnjë akt pengimi.
“Sa i përket ndërhyrjes nuk ka asnjë provë, nuk ka asnjë akt pengimi. Pra, ZPS-ja u detyrua të gjente disa mospërputhje sa i takon formave të përgjegjësisë penale por nuk u thellua asnjëherë të shikonte se çfarë interpretimi është dhënë në të drejtën kosovare për format e përgjegjësisë penale dhe as nuk ka shpjeguar se çfarë provash ka për këto akuza. Madje, ZPS-ja i ka keqinterpretuar format e përgjegjësisë penale dhe nuk i ka mbështetur me fakte”, ka thënë ajo.
Menegon tha se ZPS-ja është mbështetur në teori të gabuara sa i takon përgjegjësisë penale.
“ZPS-ja tenton qartazi që të trajtoni tentimin dhe marrëveshjen (për të kryer veprën penale) si ekuivalente me një vepër penale të konsumuar. Kjo është në kundërshtim me të drejtën kosovare dhe në përgjegjësi nuk ka kuptim me të drejtën penale”, ka deklaruar Menegon. “Sa u takon formave të përgjegjësisë penale është e paqartë se nuk na i shpjegojnë provat për këtë përveç formës së tretë të nxitjes, çdo formë tjetër e përgjegjësisë penale kërkon veprim, hapa konkretë për kryerjen e veprës penale. Një diskutim thjeshtë teorik është i pamjaftueshëm. Çfarë i mungon ZPS-së?! Janë pikërisht provat për veprimtari të tilla. ZPS-ja përpiqet që ta anashkalojë këtë duke përmendur disa veprime që kanë ndodhur përpara vizitave, por nuk shpjegon se si kjo sjellje mund të jetë relevante për elementet të cilat duhet vërtetuar”.
“Është detyra e ZPS-së që të punojë me profesionalizëm dhe që të vërtetojë çdo akt të vetin. Nëse do veproni ndryshe, do të jepni një mesazh të gabuar. Do i thoni ZPS-së se nuk kanë pikë përgjegjësie për punën që bëjnë dhe kjo nuk është e barabartë me procesin e drejtë ligjor. Ajo tha se asnjë prej dëshmitarëve në çështjen 6 nuk janë thirrur në këtë çështje dhe për këtë dha arsye faktin që sipas saj s’ka pasur ndërhyrje në deklaratat e tyre”, ka thënë ajo. “Nuk e ka bërë sepse asnjë prej këtyre personave nuk është ndërhyrë nga të akuzuarit”.
Për provat e ekspertit të Prokurorisë, Koen Herlar, mbrojtja tha se duhet të iu jepet fare pak rëndësi pasi që ka problem të theksuar në rezultatet dhe metodologjinë që ka përdorur.
“Kjo zbehë besueshmërinë e z.Herlar dhe cenon shumë vlerën të provave të tij. Mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia që të kundërshtojë në mënyrë të njëmend provat e tij. Dhënia e peshës domethënëse provave të tij, do të çonte në drejtim të padrejtë të mbrojtjes”, ka thënë ajo.
“Mbrojtja parashtron se ZPS-ja nuk ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se veprat penale të pengimit, shkeljes së fshehtësisë dhe mosbindjes së gjykatës. Ne parashtrojmë se barra e provës i takon ZPS-së dhe ju i nderuar gjykatës duhet të bindeni se nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm të provave përtej fajësisë së të akuzuarve dhe për këtë arsye nuk duhet të mbështetni në prova rrethanore ose të tërthorta por duhet që të dilni përtej dyshimit të arsyeshëm”, ka thënë Menegon.
Rrjedhimisht, Menegon tha se personat e akuzuar nuk e kishin qëllimin për të kryer vepër penale dhe se udhëzimet e pretenduara nga Thaçi, sipas saj janë vetëm udhëzime që dëshmitarët ta thonë të vërtetën.

