Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka vizituar Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku janë pritur nga rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe përfaqësues të stafit akademik.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet MPB-së dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës, përmes shkëmbimit të ekspertizës, trajnimeve dhe projekteve të përbashkëta, si dhe krijimit të mundësive konkrete për studentët dhe të rinjtë.
Në këtë drejtim, me iniciativë të ministrit Pançe Toshkovski dhe zëvendësministrit Astrit Iseni, do të hapen mundësi për punësimin e studentëve ekselentë të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe universiteteve të tjera shtetërore në vend.
Iseni ka theksuar se qëllimi është që dijes, meritës dhe potencialit të të rinjve t’u jepet hapësira që meritojnë, duke përfshirë kuadrot më të mira në ndërtimin e institucioneve profesionale, efikase dhe moderne.
“Universitetet krijojnë dije, ndërsa institucionet krijojnë mundësi”, ka shkruar Iseni, duke shtuar se investimi te të rinjtë më të mirë është investim në profesionalizëm, siguri dhe institucione më të fuqishme.

