Maqedoni

VLEN-i do t’a “SHUTOJE” Dimitrievskin nga Qeveria!

    Kërcënimi i Maksim Dimitrievskit për ta braktisur Qeverinë nëse provimi i jurisprudencës mundësohet edhe në gjuhën shqipe është shantazh politik, jo argument juridik.

    Kur mungojnë argumentet, përdoret kërcënimi. Por vijat e kuqe të ZNAM-it nuk mund të bëhen veto mbi të drejtat e shqiptarëve.

    Përpjekja për ta paraqitur shqipen si rrezik për shtetin, madje duke përmendur edhe konfederatën, është alarmizëm politik. Shqipja në një provim profesional nuk e ndan shtetin, nuk cenon rendin kushtetues dhe nuk i ul standardet profesionale.

    Kërkohet vetëm një mundësi e barabartë: i njëjti standard, të njëjtat kërkesa, pa barriera të panevojshme gjuhësore.

    Për 25 vite, kjo çështje mbeti e pazgjidhur, pavarësisht tetë ministrave shqiptarë të drejtësisë nga BDI-ja. Sot, nën udhëheqjen e ministrit Shasivari, ajo po merr zgjidhje konkrete ligjore, përmes një procesi institucional dhe në frymën e standardeve evropiane.

    Shasivari nuk po bën kompromis me standardet, por po e kthen barazinë nga premtim politik në reformë konkrete.
    VLEN nuk ka arsye të tërhiqet përballë kërcënimeve. Mbështetja e kryeministrit Mickoski për trajtimin e kësaj çështjeje dëshmon se kërcënimet e Dimitrievskit nuk mund ta ndalin procesin.

    ZNAM duhet ta kuptojë: partneriteti qeveritar nuk nënkupton veto mbi barazinë e qytetarëve.

    Dimitrievski mund të zgjedhë të qëndrojë apo të largohet nga Qeveria, por nuk mund të kërkojë që juristët shqiptarë të vazhdojnë të përballen me barriera të padrejta.

    Dimitrievski kërcënon me largim, VLEN qëndron për barazi, ndërsa Shasivari e çon përpara reformën. Sepse të drejtat gjuhësore nuk kushtëzohen me shantazhe dhe barazia nuk kërkon leje nga askush.