Kosovë Lajme

Mblidhet grupi qeveritar për strategjinë e apelimit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Grupi Punues i themeluar nga Qeveria e Kosovës për hartimin dhe bashkërendimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurën e apelimit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së është mbledhur të shtunën.

    Takimi do të fokusohet në çështjet që lidhen me procedurën e apelimit të aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Mbajtjen e takimit ishte konfirmuar qysh të enjten nga ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili njëherësh udhëheq këtë grup.

    Në një konferencë për media, Konjufca ka bërë të ditur se mbledhja do të zgjasë disa orë, ndërsa anëtarët e grupit do të angazhohen gjatë gjithë ditës për trajtimin e kësaj çështjeje.

    Anëtarët e Grupit Punues nuk janë deklaruar para takimit të së shtunës. Kanë thënë se deklarohen pas takimit.

    Grupi Punues është themeluar nga Qeveria me qëllim të hartimit dhe bashkërendimit të një strategjie shtetërore lidhur me procesin e apelimit.

    Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vjet burgim në total, më 16 shtator, për krime lufte që përfshijnë ndalimin e paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.