Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi në tetë-vjetorin e vdekjes së tij.
Haxhiu ka thënë se Demaçi i përkiste atij brezi që e përjetoi rëndë mohimin e të drejtave të shqiptarëve por që kishte zgjedhur të mos heshte dhe heshtja i kushtoi me 28 vjet burg.
“Kaloi 28 vjet në burg, por as burgimi dhe as përndjekja nuk e bënë të hiqte dorë nga bindjet e tij dhe nga kërkesa për lirinë e Kosovës. Emri i Adem Demaçit kishte kaluar kufijtë e Kosovës shumë kohë para se Kosova ta fitonte lirinë. Amnesty International e mori në mbrojtje si të burgosur të ndërgjegjes, në Senatin amerikan u kërkua lirimi i tij, ndërsa Parlamenti Evropian e nderoi me Çmimin Saharov për qëndrimin e tij përballë një regjimi autoritar”, ka thënë Haxhiu në Facebook.
Ndërsa kryeministri Kurti, ka thënë se Demaçi ka qenë shembull i pathyeshmërise dhe vuajtjet i kthente në forcë.
Kurti në kujtim të Demaçit shkroi gjithashtu se ai me të drejtë është Mandela i shqiptarëve dhe Evropës.
“Ai u rrit, mbajti 28 vjet burg, vazhdoi jetën duke mos u lëkundur asnjëherë nga rruga dhe idealet që kishte nisur. Baca Adem e kishte kuptuar dialektikën e jetës ngaqë nuk i frikësohej vdekjes. Ai jetonte mes lirisë dhe burgut. Vuajtjet i kthente në forcë, dhuna ia farkëtonte rezistencën teksa vepra i bëhej i pavdekshme. Ai e ‘kishte vrarë vdekjen’”, ka thënë Kurti në faqen e tij në Facebook.
Demaçi njihet si simboli i rezistencës kombëtare, i quajtur edhe si Mandela i Ballkanit. Studioi për letërsi, juridik në Prishtinë, Beograd dhe Shkup.
Demaçi u arrestua fillimisht për kundërshtimin e tij ndaj qeverisë autoritare të Josip Broz Titos në vitin 1958, duke mbajtur tre vjet burg. Ai u burgos përsëri më 1964-1974 dhe më pas 1975-1990. U lirua nga burgu në vitin 1990, duke shënuar në total 28 vjet burg.
Në vitin 1991, ai u nderua me çmimin “Sakharov” të Parlamentit Evropian për Lirinë e Mendimit. Në vitin 1996, Demaçi u rikthye në jetën politike, duke marrë kreun e Partisë Parlamentare të Kosovës.
Dy vjet më vonë, ai u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shërbyer si krahu i saj politik. Në vitin 2010 ai u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”.
Vdiq më 26 korrik të 2018-ës, në moshën 82-vjeçare.

