Deputeti i VLEN-it në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Bekim Qoku, ka reaguar pas ndalimit të tij dhe tre zyrtarëve të tjerë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut në pikën kufitare të Qafë Thanës, duke e cilësuar ngjarjen si një “situatë absurde” dhe duke kërkuar sqarime nga autoritetet shqiptare.
Sipas Qokut, ai, një deputet tjetër dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u mbajtën për më shumë se një orë në kufi pa marrë asnjë shpjegim zyrtar. Fillimisht u lejuan të vazhdonin rrugën, por më pas u njoftuan se hyrja në Shqipëri u ishte refuzuar edhe atyre.
“Deri në këtë moment nuk kemi marrë asnjë vendim apo njoftim zyrtar që shpjegon arsyet e këtij veprimi. Për këtë arsye nuk mund të bëjmë më shumë sesa të shtrojmë pyetje dhe të kërkojmë transparencë nga autoritetet shqiptare”, shkruan Qoku.
Deputeti i VLEN-it ngre dyshimin se vendimi mund të lidhet me mbështetjen e tij publike për protestat e fundit në Shqipëri, duke theksuar se, nëse kjo rezulton e vërtetë, do të ishte një cenim i lirisë së shprehjes dhe i standardeve demokratike.
Ai rikujton se eurodeputetë kanë marrë pjesë fizikisht në protestat në Tiranë, ndërsa shpreh habinë që shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë mund t’u refuzohet hyrja pa asnjë shpjegim zyrtar.
Në reagimin e tij, Qoku kritikon edhe atë që e cilëson si standard të dyfishtë të autoriteteve shqiptare, duke përmendur nderimet për figura nga Serbia dhe bashkëpunimet kulturore me institucione serbe, ndërsa, sipas tij, shqiptarëve u mohohet hyrja në shtetin shqiptar.
Në fund, ai apelon që institucionet shqiptare të sqarojnë sa më parë rastin, duke theksuar se transparenca është kusht për ruajtjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Qoku shton se Shqipëria duhet të mbetet një shtet demokratik dhe evropian, duke nënvizuar se “Shqipërinë e duam sepse e kemi amanet nga brezat, por Shqipërinë e drejtë, demokratike e evropiane, jo pushtetin që vihet në funksion të autokracisë dhe përçarjes së shqiptarëve”.

