Maqedoni

Tomor Alizoti del në mbrojtje të Bekim Qokut dhe Adnan Azizit: Ndalimi i tyre në kufi të kujton kohën e Millosheviçit

    Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Tomor Alizoti, ka reaguar pas ndalimit të deputetëve të VLEN-it, Bekim Qoku dhe Adnan Azizi, në pikën kufitare të Qafë Thanës, duke shprehur solidaritet të plotë me ta dhe duke e cilësuar ngjarjen si shqetësuese për standardet demokratike.

    Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Alizoti shkruan se u del në mbrojtje kolegëve të tij shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar se arsyeja e pretenduar për ndalimin – mbështetja e protestës “Revolucioni Flamingo” – është e papranueshme.

    “Pra, një deputet shqiptar ndalohet të hyjë në Shqipëri vetëm sepse guxon të mbështesë një lëvizje qytetare kundër qeverisë! Kjo të kujton kohën e Millosheviçit, kur shqiptarëve u mohohej e drejta e lëvizjes për shkak të bindjeve të tyre”, shkruan Alizoti.

    Deputeti demokrat shton se, nëse mbështetja e një proteste shërben si shkak për t’i ndaluar hyrjen një deputeti në Shqipëri, atëherë vendi nuk po funksionon sipas parimeve të një demokracie.

    “Nëse mbështetja e protestës bëhet shkak për ndalim, atëherë kjo nuk është Shqipëri demokratike, por regjim që frikësohet nga zëri i lirë”, përfundon reagimin e tij Tomor Alizoti.