Ukraina ka kryer sulme masive me dronë në disa rajone ruse, në Krime e në zonat afër deteve, ka njoftuar Ministria ruse e Mbrojtjes të premten. Sulmi pretendohet të jetë një prej më të mëdhenjve me dronë nga Kievi, qëkur Kremlini e nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës katër vjet më parë.
Forcat ajrore të mbrojtjes në Rusi, sipas Ministrisë, kanë ndërprerë 660 dronë ukrainas. Sulmi më i madh i ngjashëm i Ukrainës ndaj Rusisë ngjau vitin e shkuar. Më 17 maj të vitit të shkuar, Ukraina pati lëshuar 556 dronë në një natë.
Në përpjekje për të ndryshuar situatën në terren, dronët me rreze të gjatë të Ukrainës kanë pasur për cak prodhimin e naftës dhe impiantet e energjisë afër vijës së frontit apo thellë në Rusi. Fushata ka shkundur zinxhirin e furnizimit rus për ushtrinë si dhe ka penguar avancimin e Rusisë në terren, sipas zyrtarëve e analistëve perëndimorë. Madje ata kanë thënë se kjo ka shtuar edhe presionin mbi presidentin rus, Vladimir Putin.
Raportimet fillestare për dëmet në Rusi, pas sulmeve të natës, nuk ofruan detaje. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë zakonisht nuk thotë se çfarë qe në shënjestër të dronëve ukrainas e as nuk jep detaje për dëmet.
Portali i pavarur rus “Astra” ka raportuar se një fabrikë e kimikaleve dhe një hidrocentral në Novomoskovsk janë goditur dhe janë përfshirë nga zjarri. Megjithatë, konfirmim zyrtar nuk ka pasur.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se 47 dronë ukrainas u rrëzuan rrugës drejt kryeqytetit rus. Ai nuk ka raportuar për viktima apo dëme.
Shërbimi Ukrainas i Sigurisë ka thënë se i ka përdorur dronët për të sulmuar edhe anijet dhe radarët e mbrojtjes ajrore në Kerch, qytet-port i rëndësishëm në Krime. Sipas kësaj agjencie, dy anije janë shkatërruar.
Sulmi i madh ndodhi pak orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri të ditur në X se ka urdhëruar një “operacion 40-ditor”. Pritjet ishin që ky operacion të nënkuptonte përshkallëzim të sulmeve, me qëllim “që të bindë Rusinë për t’i dhënë fund luftës”, pas ngecjes së diskutimeve të negociuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë vitit të kaluar.
Pavarësisht kësaj, Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer të burgosur të luftës. Nga 160 në secilën palë, u kthyen nëpër shtëpi të premten, sipas njoftimeve zyrtare.
Përderisa Ukraina ka nisur t’i numërojë sulmet e suksesshme në Rusi, Zelensky ka thënë se ka marrë premtime për mbështetje të huaj, pas takimit që pati në samitin e liderëve të G7-s, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump. Zelensky ka thënë se ndihma e premtuar do ta ndihmojë Ukrainën ta detyrojë Putinin që të ulet më shpejt në tavolinën e negocimit. Samiti i NATO-s muajin e ardhshëm mund të sjellë moment të rëndësishëm në përforcimin e Ushtrisë së Ukrainës.
Ndërkaq, për 24 orë, Rusia me sulmet në disa zona të Ukrainës ka vrarë tre civilë e ka lënduar dhjetëra të tjerë, sipas të dhënave zyrtare të ukrainasve.
Të premten, një zyrtar i Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare të Ukrainës ka thënë se Rusia po i zgjeron disa baza ushtarake thellë në Bjellorusi, por jo në kufi me Ukrainën. Rusia e pati nisur sulmin ndaj Ukrainës më 2022 edhe nga Bjellorusia, që ndan kufij me të dyja shtetet. Kievi e ka përcjellë në vazhdimësi situatën në kufirin me Bjellorusinë. Megjithatë, inteligjenca ukrainase nuk ka detektuar për përforcim të njësive ruse në kufirin me Bjellorusinë, ka thënë zëdhënësi Andrii Demchenko në një deklaratë për mediat ukrainase.

