Shqipëri

“Rama dorëhiqu”, dita e 27-të e protestave në Shqipëri

    Qytetarë të shumtë janë mbledhur edhe të premten në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të vazhduar marshimin drejt Kryeministrisë, në ditën e 27-të radhazi të protestave kundër qeverisë.

    Një nga kërkesat kryesore të protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë protestës janë dëgjuar sërish thirrjet “Rama dorëhiqu”.

    Ndërkohë, Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka nisur procedim penal ndaj 11 protestuesve. Sipas policisë, gjatë dy ditëve të fundit të protestës ata kanë penguar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve në kryeqytet.

    Protestat në Tiranë po vazhdojnë prej gati katër javësh, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Protestat nisën si kundërshtim ndaj ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec të Vlorës, por me kalimin e ditëve ato janë shndërruar në protesta me kërkesa politike, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.