Botë Lajme

BE riafirmon mbështetjen për zgjerimin, Kosova dhe Shqipëria pjesë e rrugëtimit

    Sipas një publikimi të Parlamentit Evropian, zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga arritjet më të mëdha të bllokut dhe një investim për të ardhmen e përbashkët të Evropës.

    Parlamenti Evropian njoftoi se përmes raporteve të tij më të fundit për vendet kandidate dhe ato potencialisht kandidate, vazhdon t’i japë përparësi një procesi zgjerimi të bazuar në meritë, duke vlerësuar progresin e secilit shtet në rrugën drejt anëtarësimit.

    Në mesin e vendeve të përfshira në këtë proces është edhe Kosova, e cila ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022. Sipas të dhënave të publikuara nga Parlamenti Evropian, Kosova ka rreth 1.6 milion banorë dhe një GDP për frymë prej rreth 7,900 euro.

    Po ashtu, Shqipëria, e cila mban statusin e vendit kandidat që nga viti 2014, vazhdon procesin e negociatave për anëtarësim. Sipas të dhënave të publikuara, Shqipëria ka rreth 2.4 milionë banorë dhe një GDP për frymë prej 9,942 euro.

    Bosnja dhe Hercegovina gjithashtu është pjesë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave të publikuara nga Parlamenti Evropian, vendi ka marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2022. Bosnja dhe Hercegovina ka rreth 3.4 milionë banorë dhe një GDP për frymë prej 8,467 euro. Institucionet evropiane theksojnë se përparimi i saj drejt anëtarësimit do të varet nga zbatimi i reformave dhe përmbushja e kritereve të përcaktuara nga BE-ja.

    Mali i Zi, i cili është vend kandidat që nga viti 2010, konsiderohet si një nga shtetet që ka avancuar më së shumti në procesin e negociatave për anëtarësim. Sipas Parlamentit Evropian, vendi ka rreth 0.6 milionë banorë dhe një GDP për frymë prej 13,083 euro.

    Maqedonia e Veriut, e cila ka marrë statusin e vendit kandidat që në vitin 2005, vazhdon negociatat me Bashkimin Evropian, ndërsa Serbia, vend kandidat që nga viti 2012, mbetet gjithashtu pjesë e procesit të zgjerimit, me përparimin e saj të lidhur ngushtë me zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kushteve të vendosura nga BE-ja.

    Në mesin e vendeve që synojnë anëtarësimin janë edhe Moldavia dhe Ukraina, të cilat fituan statusin e vendit kandidat në vitin 2022, si dhe Gjeorgjia, e cila mori statusin e kandidatit në vitin 2023. Ndërkohë, Turqia, vend kandidat që nga viti 1999, vazhdon të mbetet pjesë e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian, megjithëse procesi i negociatave të saj ka ecur me ritëm të ngadalshëm.