Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dekoroi sot me medaljen “Urdhri i Lirisë” komandant Adem Shehin.
Nga Farka e Tiranës, Shehi iu bashkua UÇK-së në kohën kur ushtria kishte nevojë për burra trima, shkruan IndeksOnline.
Haxhiu tha se Sehi e solli dijen e oficerit, përvojën e ushtrisë dhe seriozitetin e njeriut që e kupton peshën e detyrës.
“Si shumë oficerë e vullnetarë nga Shqipëria, ai e dinte se kur Kosova ishte në rrezik, kufiri nuk mund të ishte arsyetim për të qëndruar larg” shkroi Haxhiu.
Ky është postimi i plotë i saj:
Sot, në Ditën e Çlirimit, dekorova komandant Adem Shehin me “Urdhrin e Lirisë”.
Nga Farka e Tiranës, Adem Shehi erdhi në Kosovë në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte nevojë për njerëz që dinin ta kthenin vullnetin në rend, guximin në qëndresë dhe luftëtarin e ri në ushtar të përgatitur.
Ai solli dijen e oficerit, përvojën e ushtrisë dhe seriozitetin e njeriut që e kupton peshën e detyrës.
Para se të hynte drejtpërdrejt në luftë, ai ndihmoi në organizimin dhe stërvitjen e qindra vullnetarëve e ushtarëve të UÇK-së. Më pas, si komandant i Brigadës 153 “Hyzri Talla” në Zonën Operative të Llapit, u bë pjesë e forcimit të njësive që vepruan në Llap e Gollak.
Si shumë oficerë e vullnetarë nga Shqipëria, ai e dinte se kur Kosova ishte në rrezik, kufiri nuk mund të ishte arsyetim për të qëndruar larg.
Ky nderim është për shërbimin e tij, për dijen e vënë në punë, për rrezikun e marrë mbi vete dhe për atë rreshtim shqiptar që në orët e vështira i doli zot Kosovës.
Mirënjohje komandant Adem Shehit dhe të gjithë atyre që i dhanë Kosovës dije, armë, besë dhe jetë.

