Kosovë Lajme

Komandant Jashari i FSK-së pret në takim Zv. Agjutantin e Gardës Kombëtare të Ajovës së ShBA-së

Në vazhdën e bashkëpunimit, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Zëvendës Adjutantin dhe udhëheqshin e Gardës Ajror të Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneral Brigade Mark A. Muckey, dhe stafin e tij.

Fillimisht, Gjeneral Jashari e falënderoi Gjeneral Muckey për mbështetjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Ajovës në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e cilësuar si ‘storie suksesi’ e partneritetit të këtij lloji. Gjithashtu, GLT Jashari e informoi për zhvillimet aktuale në FSK dhe për rolin e rëndësishëm në garantimin e sigurisë në vend, duke theksuar kontributin e rëndësishëm të saj në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Në anën tjetër, GjB Muckey e përgëzoi GLT Jasharin për lidershipin e tij dhe arritjet e deritanishme të FSK-së, si dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së forcës Ajrore të GKA, në procesin e zhvillimit të mbrojtjes së hapësirës ajrore.

Gjatë takimit, të dy gjeneralët vlerësuan progresin e konsiderueshëm të arritur nga FSK-ja në zhvillimin, modernizimin dhe avancimin e kapaciteteve të saj operacionale. Ata gjithashtu shprehën vlerësim të lartë për profesionalizmin, performancën dhe nivelin e lartë të ndërveprueshmërisë së personelit në kuadër të aktiviteteve dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Në përmbyllje të takimit, gjeneralët riafirmuan përkushtimin e tyre për avancimin dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, duke e cilësuar atë si një partneritet me rëndësi të veçantë strategjike. Në këtë kontekst, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës u vlerësua si një faktor kyç për garantimin e sigurisë, stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në rajon.

Exit mobile version