Kosovë Lajme

Haxhiu: Fëmijët kanë nevojë për kujdes dhe mbrojtje çdo ditë të vitit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Konferencën e Nëntë të Shëndetit, Mirëqenies, Edukimit dhe të Drejtave të Fëmijëve, ku ka theksuar se fëmijët, pavarësisht përparimeve të deritanishme, ende përballen me sfida të shumta dhe kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga institucionet dhe shoqëria.

Haxhiu ka thënë se të drejtat e fëmijëve shpesh mbeten vetëm në letër dhe se fëmijët nuk kërkojnë gjëra të pamundura, por siguri, përfshirje dhe trajtim me dinjitet, duke mos u stigmatizuar për vështirësitë që përjetojnë në jetën e përditshme.

Ajo ka theksuar se një nga problemet kryesore është pritshmëria që fëmijët t’i tejkalojnë vetë vështirësitë, ndërsa sipas saj ata kanë të drejtë të kenë frikë, të jenë të hutuar dhe mbi të gjitha të marrin ndihmë në kohë.

Sipas Haxhiut, Kosova ka ndërtuar bazë të rëndësishme ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, por sistemi vlerësohet nga funksionimi në praktikë, duke ngritur çështje si qasja në shërbime, numri i psikologëve në shkolla dhe reagimi me kohë ndaj nevojave të fëmijëve.

Haxhiu ka shtuar se shteti duhet të jetë i pranishëm në jetën e fëmijëve përmes shkollës, familjes dhe institucioneve, duke garantuar mbrojtje nga dhuna dhe duke krijuar mjedis të sigurt për zhvillimin e tyre.

Në fund, ajo ka theksuar se 1 Qershori duhet të jetë jo vetëm ditë gëzimi, por edhe ditë përgjegjësie institucionale, duke kujtuar se fëmijët kanë nevojë për vëmendje, mbrojtje dhe kujdes 365 ditë në vit.

Exit mobile version