Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Kryeministri Albin Kurti janë zotuar për një ekonomi që funksionon në interes të qytetarëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ndershëm. Pikërisht për këtë arsye, këtë pranverë u miratua Ligji për çmimet tavan, për herë të dytë. Ligji është mekanizëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Në periudha krizash ekonomike dhe rritjeje të çmimeve, tregu nuk funksionon gjithmonë në mënyrë të drejtë. Në shumë vende, sidomos gjatë krizave globale energjetike dhe inflacionit, janë evidentuar raste të rritjes së pajustifikuar të çmimeve dhe abuzimeve me marzhet tregtare. Në këto raste, barra më e madhe bie mbi qytetarët dhe bizneset e ndershme.
Për këtë arsye, shumë shtete evropiane kanë ndërhyrë për të mbrojtur konsumatorët dhe konkurrencën. Nga Franca te Spanja, Italia apo Kroacia, qeveritë kanë përdorur masa për kufizimin e marzheve, monitorimin e çmimeve dhe parandalimin e manipulimeve në treg gjatë periudhave të krizës.
Në këtë frymë, Ligji për çmimet tavan në Kosovë synon të ndihmojë në parandalimin e abuzimeve me marzhet tregtare dhe manipulimeve në treg, në mbrojtje të konsumatorëve dhe tregtarëve të ndershëm.
Ky ligj nuk është kundër ekonomisë së tregut. Përkundrazi, ai synon të mbrojë vetë funksionimin e drejtë të tregut. Një treg nuk është i lirë kur qytetarët përballen me çmime artificialisht të fryra ose kur disa operatorë krijojnë fitime të pajustifikuara në kurriz të krizave dhe nevojave
themelore të njerëzve.
Qeveria Kurti e sheh shtetin jo si spektator pasiv përballë krizave ekonomike, por si garantues të interesit publik dhe konkurrencës së ndershme. Në ekonomitë moderne evropiane, shteti ndërhyn kur tregu deformohet, kur rrezikohet mirëqenia sociale ose kur abuzimet cenojnë stabilitetin ekonomik.
Në një kohë kur kostot e jetesës mbeten sfidë për shumë familje, mbrojtja e konsumatorit është përgjegjësi shtetërore. Prandaj, Ligji për çmimet tavan është pjesë e vizionit për një ekonomi më të drejtë, ku fitimi nuk ndërtohet mbi abuzimin dhe ku tregu funksionon në shërbim të qytetarit
dhe zhvillimit të ndershëm ekonomik.

