Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci ka mirëpritur Raportin e Departamentit të Shtetit, i cili sipas tij, konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne, profesionale dhe multietnike të mbrojtjes territoriale.
Maqedonci në një postim në Facebook shkruan se ky vlerësim paraqet një dëshmi të qartë të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
Lexoni të plotë postimin e ministrit në detyrë:
Mirëpresim Raportin e Departamentit të Shtetit i përgatitur për Kongresin mbi Politikën e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit Rajonal dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, i cili konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne, profesionale dhe multietnike të mbrojtjes territoriale.
Ky vlerësim paraqet një dëshmi të qartë të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, në përputhje me standardet euro-atlantike dhe në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tanë. Përkrahja amerikane ka qenë dhe mbetet vendimtare në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të një force të aftë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve tanë.
Po ashtu, vlerësojmë lart njohjen e rolit të Kosovës si kontribuuese në sigurinë ndërkombëtare. Angazhimi ynë për t’iu bashkuar përpjekjeve shumëkombëshe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dëshmon se Kosova është një partner i besueshëm dhe një kontribuues aktiv në sigurinë rajonale dhe globale. Kjo pasqyron qartë transformimin e Kosovës nga konsumues i sigurisë në ofrues të saj.
Republika e Kosovës do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, në forcimin e bashkëpunimit me aleatët strategjikë dhe në avancimin e aspiratës sonë të palëkundur për integrim të plotë euro-atlantik.

