Kosovë Lajme

Ish-komandanti: FSK-ja ka kapacitete për anëtarësim në NATO

SIsh-komandanti: FSK-ja ka kapacitete për anëtarësim në NATO
Rrugëtimi i Kosovës drejt aleancës më të fortë ushtarake në botë, duket se do të përshpejtohet.

Kjo pasi tre kongresmenë amerikanë, dorëzuan në Dhomën e Përfaqësuesve rezolutën që vendi të anëtarësohet sa më parë në NATO.

Në kërkesën dorëzuar Kongresit, thuhet se qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë e bashkëjetesa multietnike, paraqesin rast të fortë për këtë anëtarësim.

Kjo po mirëpritet nga ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama.

“Iniciativa prodhon dhe dëshmon njëfarë forme që Kosova është e gatshme dhe Kosova po dëshmon për çdo ditë edhe vet ushtria e saj që nuk janë vetëm konsumues të sigurisë por edhe prodhues të sigurisë, e kemi edhe rastin në Gaza dhe pjesëmarrja e FSK-së në Gaza është një hap i rëndësishëm”, shprehet Rama.

Megjithatë, ai vlerëson se duhet më shumë angazhim nga lidershipi aktual dhe diplomacia kosovare, raporton Teve1

“A kemi bërë mjaftueshëm? Unë them jo, a duhet bërë më shumë, patjetër duhet që të bëjmë më shumë dhe ky duhet të jetë prioritet i çdo Qeverie edhe i kësaj klase politike i diplomacisë që sa më parë që të jetë e mundshme, Kosova të jetë në NATO”, thotë ish-komandanti i FSK-së.

E nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thonë se përmes nismës vërtetohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndikim edhe te vendet mosnjohëse ndaj Kosovës.

“Një anëtarësim i Kosovës në NATO njëfarë forme do ta blindonte paqen në Ballkanin Perëndimor për shkak se do t’i dërgohej mesazhi përfundimtar sidomos te Serbia që atakimi i një shteti të NATO-s nënkupton atakim të të gjithë aleancës dhe njëfarë forme Serbia do të bindet që të shikojë pozitivisht sa i përket ndërtimit të marrëdhënieve me Kosovën”, vlerëson Mentor Vrajolli nga QKSS.

Ndër vite, buxheti për FSK-në është rritur ku është shtuar edhe numri i armatimeve të sofistikuara dhe në bazë të standardeve të NATO-s.

Exit mobile version