Botë Lajme

SHBA vendos sanksione ndaj kompanive kineze për lidhjet me Iranin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të reja ndaj disa kompanive kineze, të cilat akuzohen se kanë ndihmuar Irani në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe teknologjike.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, masa ndëshkuese përfshijnë katër kompani, tre prej tyre me seli në Kinë, të cilat dyshohet se kanë ofruar imazhe satelitore që janë përdorur në sulme ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

Paralelisht, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar edhe 10 individë dhe kompani të tjera, përfshirë subjekte kineze, të cilat akuzohen për furnizim të materialeve dhe teknologjisë së përdorur në prodhimin e raketave balistike dhe dronëve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ndaj çdo subjekti që, sipas tij, mbështet industrinë ushtarake të Iranit.

“Do të kërkojmë llogaridhënie nga çdo subjekt që ndihmon kapacitetet ushtarake të Iranit”, u shpreh Rubio.

Nga ana tjetër, Kina ka reaguar duke kundërshtuar sanksionet e njëanshme, duke i cilësuar ato si të pabazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe duke theksuar se do të mbrojë kompanitë e saj.

Vendimi vjen vetëm pak ditë para takimit të paralajmëruar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping në Pekin, duke shtuar tensionet diplomatike mes dy fuqive botërore.

Exit mobile version