Botë Lajme

Trump i pakënaqur me porpozimin iranian, Rubio: Irani po e përdor Hormuzin si armë bërthamore ekonomike

Presidenti amerikan Donald Trump është i pakënaqur me propozimet e fundit të Iranit për t’i dhënë fund luftës 2-mujore. Këte tha një zyrtar amerikan, duke zbehur shpresat për një zgjidhje të konfliktit që ka rritur çmimet e energjisë e inflacionin, dhe ka vrarë me mijëra, shkruan A2CNN-i.

Sipas planit iranian, diskutimet për programin bërthamor do të shtyheshin për një moment të dytë, pasi lufta të ketë përfunduar dhe mosmarrëveshjet për lundrimin në gji, të jenë zgjidhur. Por diçka e tillë nuk kënaq presidentin Trump, i cili në mbrëmje mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar pikërisht propozimin e Iranit.

Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, deklaroi se Trump nuk do të negociojë përmes shtypit dhe se ai ka qenë i qartë për vijat e kuqe. “Nuk dua të dal përpara presidentit apo ekipit të tij të Sigurisë Kombëtare. Ajo që mund të ritheksoj është se vijat e kuqe të presidentit në lidhje me Iranin janë bërë shumë, shumë të qarta, jo vetëm për publikun amerikan, por edhe për vetë ata.”

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha në një intervistë televizive se Irani po përdorte Hormuzin si armë bërthamore ekonomike dhe se Teherani po i bënte presion botës, ndërsa shtynte bisedimet për programin nuklear.

“Ngushtica është në thelb ekuivalenti i një arme bërthamore ekonomike që ata po përpiqen ta përdorin kundër botës. Dhe madje po mburren për këtë. Po vendosin tabela në Teheran, duke u mburrur se mund të mbajnë peng 25% ose 20% të energjisë së botës. Imagjinojeni sikur po këta njerëz të kishin akses në një armë bërthamore. Ata do ta mbanin gjithë rajonin peng”, tha Rubio.

Irani ndërkohë është angazhuar në një blic diplomatik, me ministrin e jashtëm Abasa Arakci që udhëtoi në Pakistan, Oman dhe Rusi gjatë ditëve të fundit. Në Moskë u prit me fjalë mbështetëse nga aleati Putin. Teksa palët në konfikt mbeten larg një marrëveshjeje, çmimi i naftës bruto u rrit me më shumë se 2% të martën.

Exit mobile version