Kosovë Lajme

LVV-ja del me vendim Kryesie: PDK-LDK të japin së bashku 3 emra për president, unifikues dhe jashtë skenës politike

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar dy partitë opozitare, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike që të propozojnë tre emra për president, duke ofruar të gjitha nënshkrimet e deputetëve të kësaj partie dhe tërheqjen e kandidaturave të Glauk Konjufcës e Fatmire Mulhaxhës.

Në një njoftim të shtunën, LVV-ja ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë të premten në mbrëmje ka vendosur të ndërmarrë “edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues”.

Në ftesën për dy partitë, VV-ja ka thënë që kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike.

“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të. Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike. Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, thuhet në njoftim të VV-së.

“Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.”, thuhet më tutje.

Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin, ose Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare.

VV-ja ka thënë se për shkak të këtij afati, pret përgjigje nga PDK-ja dhe LDK-ja deri të dielën në mbrëmje (26 prill).

“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version