Kosovë Lajme

Kurti: Qeveria nuk ndërhyn në drejtësi, kërkon standarde të larta në proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, duke theksuar se qeveria nuk ndërhyn në çështje të drejtësisë.

Ai i bëri këto deklarata në foltoren e kuvendit, duke sqaruar edhe qasjen institucionale ndaj proceseve gjyqësore në Hagë.

Kurti theksoi se komunikimi me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm dhe se qeveria angazhohet për respektimin e të drejtave në këto procese.

“Komunikimi institucional me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm dhe i strukturuar, duke u zhvilluar në mënyrë të përgjegjshme dhe në përputhje me natyrën e ndjeshme të proceseve gjyqësore. Po ashtu, nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta ndaj krerëve të UÇK-së, siç ishin për shembull moslejimi i ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe pranimi i dokumenteve zyrtare të shtetit gjenocidal të Serbisë si prova në procesin gjyqësor atje. Sa u përket pretendimeve për mungesë informacioni apo koordinimi, është e rëndësishme të potencohet se vetë arkitektura juridike e dhomave të specializuara, e themeluar në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit të brendshëm, garanton pavarësinë e plotë të saj nga ekzekutivi’’, ka thënë Kurti.

Kjo nënkupton që qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore dhe as nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në informacionet operative të proceseve në zhvillim, ka shtuar Kurti.

Exit mobile version