Shkruan Shemsi Jashari,
Në një kohë kur Kosova po përballet me krizë institucionale, polarizim politik dhe sfida të vazhdueshme në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, vendi ka nevojë më shumë se kurrë për figura bashkuese, profesionale dhe me besueshmëri ndërkombëtare.
Prandaj, emri i Arianit Shehu duhet të merret seriozisht në shqyrtim si një profil i mundshëm për pozitën e Presidentit të Kosovës.
Kosova nuk ka nevojë për një president partiak apo produkt të marrëveshjeve të ditës politike, por për një figurë që ndërton ura mes spektrit politik dhe forcon raportet me aleatët strategjikë.
Arianit Shehu përfaqëson një profil të tillë. Me mbi 25 vite përvojë në fushën e politikës ndërkombëtare, sigurisë dhe qeverisjes, ai ka ndërtuar reputacion profesional përmes angazhimit konkret në arenën botërore.
Ai ka bashkëpunuar me administrata amerikane nga periudha e Bill Clinton deri te administratat e Joe Biden dhe Donald Trump, si dhe me institucione kyçe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë.
Po ashtu, kontributi i tij përfshin angazhim si këshilltar pranë Madeleine Albright dhe role të rëndësishme në Instituti Kombëtar Demokratik.
Përvoja e tij shtrihet në më shumë se 16 vende, nga Ballkani në Lindjen e Mesme dhe Euroazi, me fokus në demokratizim, siguri dhe forcim të institucioneve.
Aktualisht, ai udhëheq një organizatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të angazhuar në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, çështje që lidhen drejtpërdrejt me sfidat globale të sigurisë.
Si profil, Arianit Shehu qëndron mbi ndarjet partiake dhe ofron mundësi reale për pajtim të brendshëm. Një figurë e tillë mund të ndikojë në rikthimin e besimit në institucione, në forcimin e unitetit politik për çështje strategjike dhe në përfaqësimin dinjitoz të Kosovës para partnerëve ndërkombëtarë.
Kosova ka nevojë për President që garanton unitetin, jo thellimin e ndasive. President që nuk bart barrën e konflikteve të së kaluarës politike, por ndërton të ardhmen mbi profesionalizëm, besim dhe partneritet strategjik.
Figura të respektuara ka. Pyetja mbetet: a ka vullnet politik?

