Fitorja e opozitës në Hungari: Magyar shpall suksesin, Orbán raportohet se ka uruar rivalin
Në Hungari po raportohet për një fitore të rëndësishme të opozitës, ku partia Tisza e udhëhequr nga Péter Magyar ka marrë epërsi të dukshme ndaj koalicionit qeverisës Fidesz–KDNP të kryeministrit Viktor Orbán, përcjell INA.
Sipas të dhënave të pjesshme të publikuara me përqindje të ndryshme të votave të numëruara, Tisza po udhëheq si në mandatet parlamentare ashtu edhe në garat individuale, duke krijuar një avantazh të konsiderueshëm ndaj partisë në pushtet.
Në një postim në Facebook, Péter Magyar deklaroi se ka marrë një telefonatë urimi nga kryeministri Viktor Orbán, i cili sipas tij e ka përgëzuar për rezultatin zgjedhor. Orbán ende nuk e ka konfirmuar publikisht këtë deklaratë.
Ndërkohë, nga radhët e Fidesz janë shënuar edhe urimet e para publike ndaj kandidatëve të opozitës në disa zona, përpara shpalljes së rezultateve përfundimtare.
Me rreth 45.7% të votave të numëruara, Tisza raportohet se mban 135 mandate, ndërsa Fidesz–KDNP 57, dhe partia Mi Hazánk rreth 7 mandate, sipas përllogaritjeve të përkohshme.
Me rritjen e numërimit të votave, epërsia e Tisza-s është forcuar gradualisht, duke e vendosur opozitën në një pozicion të qartë udhëheqës në këtë fazë të procesit zgjedhor.
Sipas analizave dhe sondazheve të publikuara para dhe menjëherë pas mbylljes së votimeve, Tisza rezulton me mbështetje më të lartë se Fidesz, duke lënë të hapur mundësinë për një ndryshim të madh politik në vend.
Megjithatë, autoritetet dhe analistët theksojnë se këto janë rezultate të pjesshme dhe ende jo përfundimtare, ndërsa tabloja e plotë e rezultatit pritet të qartësohet pas përfundimit të numërimit të plotë të votave.(INA)

