Kosovë Lajme

Nafta ende me çmim “të luftës”

Pas nisjes së sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, çmimi i naftës në Kosovë është rritur për rreth 60 për qind. Por, ndonëse ka tri ditë që është shpallur armëpushimi dhe kanë nisur negociatat, ende nuk është shënuar ulje e ndjeshme. Ekonomistë dhe njohës të tregut të naftës i tregojnë arsyet e kësaj praktike
Tri ditë pas marrëveshjes për armëpushim dyjavor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, çmimet e naftës në Kosovë nuk kanë pësuar ulje të ndjeshme, prej vetëm 5 centësh.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, çmimi maksimal i naftës që mund të shitet të shtunën është 1 euro e 86 centë për litër, ndërsa ai i benzinës 1 euro e 44 centë.

Menjëherë pas armëpushimit, çmimet e karburanteve në bursat ndërkombëtare ranë për 12 për qind.

Ekonomisti Shkumbin Misini tregon pse kjo nuk ka ndodhur edhe me çmimin e naftës në Kosovë.

“Në momentin që rritet çmimi, bie kërkesa dhe kur bie kërkesa si parametër kryesor në kuadër të ligjit tavan e kanë që një pompë e benzinës me pas 10 mijë litra mesatarisht me furnizim. Në qoftë se ata janë furnizuar dy ditë më parë, nuk i kanë shitë ato 10 mijë litra dhe për një gjë të tillë nuk munden me ulë çmimin sepse i ka 10 mijë litra rezervë”, ka theksuar Misini.

Por, njohësi i tregut të naftës, Jakup Gashi, thotë se mungesa e kontrollit nga institucionet bën që çmimet të mos reflektojnë menjëherë ndryshimet në bursën ndërkombëtare.

“Tash e pashë në Gjilan munden me u furnizu me 1.75 derisa çmimi është 1.86 i përcaktuar nga ministria. Kjo dëshmon që edhe kjo formë e aplikimit është i gabuar se nuk po arrin me fut në kontroll”, ka vlerësuar Gashi.

Edhe në disa pika të shitjes së karburanteve në Prishtinë, çmimet e naftës janë shitur 3 deri në 4 centë më lirë se çmimi maksimal i lejuar nga Ministria.

Gashi thotë se mënyra aktuale e përllogaritjes së çmimeve i favorizon kompanitë e naftës më shumë sesa konsumatorët.

“E merr çmimin mesatar mujor të bursës për naftë ose benzinë e shndërron prej tonit në litër, i kalkulon taksat operative pra shpenzimet përfshirë akcizën edhe TVSH-në edhe në fund e bën pagesën ose faturimin mbi bazën e çmimit mesatar, gjë që i bjen për muajin mars qeveria është furnizuar me 1.50 naftë derisa qytetarët janë furnizuar ose çmimi në treg ka qenë 1.87, 1.88, 1.90…”.

Nafta u shtrenjtua kur më 28 shkurt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën luftën me Iranin, shtet që menjëherë mbylli Ngushticën e Hormuzit, e cila shfrytëzohet si rrugë detare për 20 për qind të naftës në nivel botëror.

Exit mobile version