Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, me të cilin ka diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit nga kjo ministri, gjatë takimit u theksua se thellimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë mbetet një prioritet kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ministrja prezantoi punën e ministrisë, duke përfshirë planin katërvjeçar për zhvillimin e parqeve industriale, integrimin e politikave të gjelbra, avancimin e ekonomisë qarkore dhe rritjen e mundësive për investime të përbashkëta.
Po ashtu, palët diskutuan për lehtësimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve të huaja në Kosovë përmes platformës së Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), me synim krijimin e kushteve më të favorshme për investitorët e huaj”, thuhet në njoftim.
Ministrja Kusari-Lila dhe ambasadori Antonini u dakorduan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, me fokus në rritjen e investimeve, forcimin e lidhjeve ekonomike dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset.
Gjithashtu, bëhet e ditur se u diskutuan edhe aktivitetet e ardhshme në kuadër të forumeve ekonomike, përfshirë forumin që pritet të mbahet në muajin maj në Kosovë, si dhe një forum tjetër pasues në Trieste, Itali.

