Kosovë Lajme

“Uthulla e fortë gërryen enën e vet” – thotë populli ynë – Çfarë trishtimi ta mbyllësh mandatin në një mënyrë kaq të shëmtuar

Nga Egon Loli

Në përpjekjen e dëshpëruar për t’u rizgjedhur medoemos presidente pa firma dhe pa parti, vetëm pse pati takuar nja dy-tre herë Trumpin, dhe pati marrë nja dy-tre rrahje shpatullash nga Edi Rama, Vjosa Osmani sot vulosi daljen e saj nga skena politike e Kosovës.

Me shkeljen flagrante të Kushtetutës së Kosovës, duke shpërndarë Kuvendin drejt zgjedhjeve të reja, Vjosa Osmani e derdhi të gjithë kontributin e saj 5-vjeçar në (l)lumin e partive që po i rezistojnë prej një viti çdo verdikti popullor për të dalë në opozitë.

Vjosa Osmani nga sot rrezikon daljen jo vetëm me opozitën në opozitë, por krejt jashtë politike, së bashku me ata të cilëve u shërbeu për të fundit herë.

Republika e Kosovës është republikë parlamentare, jo republikë presidenciale dhe aq më pak republikë opozitare, siç Vjosa Osmani u përpoq ta noterizonte sot.

Republika e Kosovës ka një Kushtetutë e cila nuk është shprehje dëshirash, por rregull dhe procedurë. E kur këto nuk respektohen, rrugët ndahen dhe janë të qarta: ose me republikën, ose me kapjen e shtetit.

Çfarë trishtimi ta mbyllësh mandatin në një mënyrë kaq të shëmtuar.

Exit mobile version