27 vjet pas masakrës në të cilën u vranë 49 anëtarë të familjes Berisha nga Suhareka, i mbijetuari Gamoz Berisha, ka treguar se në trup i është gjetur një plumb.
Gramozi që në kohën e luftës ka qenë 8-vjeçar, i plagosur në krahun e majtë, bashkë me të ëmën dhe gruan e axhës kishte kërcyer nga kamioni në të cilin ishin vendosur viktimat e njërës ndër masakrat e ndodhura në luftën e fundit në Kosovë.
27 vjet më vonë në një postim në Facebook ai ka risjell kujtimet e tij për 26 marsin e vitit 1999 si dhe dhimbjen që ndjeu në trup para tre muajsh si pasojë e asaj dite.
“27 vite më parë, kur bashkë me mamin kërcyem nga kamioni, unë isha i plagosur në krahun e majtë. Ajo plagë ma kishte mundësuar të shtiresha si i vdekur kur na kapën tek piceria dhe na hodhën në kamion bashkë me trupat e tjerë. Vite të tëra jam trajtuar për plagën në krahun e majtë. Të gjithë mjekët më kishin thënë se plumbi kishte rrëshqitur dhe nuk ishte më në trupin tim”, ka shkruar Berisha.
Ai ka rrëfyer për dhimbjen e mungesën për familjarët që i humbi atë ditë.
“27 vite dhimbje, krenari, mungesë dhe përpjekje për të gjetur qoftë edhe një kockë të familjarëve tanë, që nuk arritën të kërcenin nga kamioni që i barte si kufoma. Unë, mami Vjollca dhe Shyhretja ishim të vetmit që kërcyem. Të tjerët shkuan me kamion. Edhe motra Dafina, edhe vëllai im Driloni, edhe babi Sedat”, ka shkruar Berisha.
Ai ka treguar se nga kamioni kanë dëgjuar thirrje për ndihmë.
“Të 49 anëtarët e familjes sonë shkuan. Kishte edhe të gjallë brenda. Kishte edhe thirrje për ndihmë nga kamioni. Por nuk kërcyen. Shkuan. Mbijetuam vetëm ne të tre”, ka shkruar Berisha.
Ka treguar se para tre muajsh ka ndier një dhimbje të tmerrshme në krahun e tij të djathtë por ka thënë se ka qenë i bindur që ajo nuk kishte të bënte me plagën e tij të luftës.
“I bindur se nuk kishte asnjë lidhje me të kaluarën time, meqë plagën e kisha në krahun e majtë, iu drejtova mjekëve këtu në Shtutgart. Filluan ekzaminimet. Pas disa fotografimeve, nisën të më bëjnë pyetje: A mos keni qenë pjesë e ndonjë plaçkitjeje? Jo. A keni marrë pjesë në ndonjë shkëmbim zjarri? Po. Jam i mbijetuar… Ua tregova edhe plagën në krahun e majtë”, ka shkruar ai.
Ai ka treguar se janë mbledhur shumë mjek të cilës kanë përsëritur frazën “ein Wunder”, shqip “një mrekulli”.
“Mjekët më treguan se në krahun tim të djathtë ndodhej plumbi që kishte synuar të ma merrte jetën para 27 vjetëve. Plumbi kishte depërtuar nga krahu i majtë në të djathtin, pa prekur asnjë organ vital. Kjo ishte mrekullia që ata e quanin ‘ein Wunder’”, ka shkruar ai.
“Unë mësova se gjatë gjithë kësaj kohe paskam mbajtur me vete metalin që e mposhta — që sot ta shijoj lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Gëzuar 17 shkurtin”, ka uruar ai.

