Lajme Shqipëri

Rama mori ftesën nga Trump, por Shqipëria a do të paguaj 1 miliard $ si pjesë e Bordit të Paqes

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj raportimeve dhe komenteve mediatike lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes të iniciuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, duke i cilësuar ato si spekulime dhe gënjeshtra.

Në një deklaratë publike, Rama mohoi kategorikisht se Shqipëria do të paguajë tarifën prej 1 miliard eurosh për pjesëmarrjen në këtë bord, duke theksuar se një pretendim i tillë nuk ka asnjë bazë reale.

“Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort, sa të duket sikur në Bordin e Paqes nuk është ftuar Shqipëria, por një vend armik i saj”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë një sërë pretendimesh që, sipas tij, po qarkullojnë në opinionin publik:

Se në Bordin e Paqes janë ftuar vetëm disa shtete – gënjeshtër, pasi janë ftuar të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.

Se Shqipëria do të paguajë 1 miliard euro – gënjeshtër.

Se palestinezët do të vendosen në Shqipëri – gënjeshtër.

Sipas Ramës, e vërteta është shumë më e thjeshtë sesa ajo që “pjell mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë”, veçanërisht sa herë që Shqipëria nderohet në arenën ndërkombëtare.

Ai e cilësoi reagimin politik dhe mediatik si një shenjë të “Shqipërisë së vjetër”, ndërsa theksoi se vendi po ndërton një “Shqipëri tjetër”, të respektuar dhe dinjitoze në sytë e botës.

“Për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve që më kanë mbajtur katër herë në krye të shtetit dhe respekti i atyre që janë në majat e botës dhe të Europës, për të nderuar Shqipërinë”, tha Rama.

Në përfundim, kryeministri e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm për vendin, duke përdorur metaforën se “sa më shumë lehin qentë, aq më përpara shkon karvani”, në referencë ndaj kritikave dhe polemikave që kanë shoqëruar këtë çështje. /noa.al

Exit mobile version