Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se sulmi ushtarak amerikan kundër militantëve të Shtetit Islamik (ISIS) në Nigeri ishte planifikuar fillimisht të realizohej të mërkurën, por me urdhër të tij u shty për një ditë.
“Duhej ta kishin bërë më herët. Dhe unë thashë: ‘Jo, le t’u japim një dhuratë Krishtlindjeje’. Ata nuk e menduan se do të ndodhte, por ne i goditëm fort. Çdo kamp u shkatërrua”, ka thënë Trump në një intervistë për “Politico”.
Të enjten, Trumpi njoftoi se Shtetet e Bashkuara kishin kryer sulme ajrore ndaj pjesëtarëve të ISIS-it në veriperëndim të Nigerisë, si reagim ndaj sulmeve të grupit ndaj të krishterëve në atë rajon.
“Sonte, me urdhrin tim si komandant i Përgjithshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën një sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës kundër mbetjeve terroriste të ISIS-it në veriperëndim të Nigerisë, të cilët po synojnë dhe po vrasin brutalisht, kryesisht të krishterë të pafajshëm, në nivele që nuk janë parë prej shumë vitesh, madje as prej shekujsh”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
Komanda e SHBA-së për Afrikën (AFRICOM) bëri të ditur se sulmi u krye me kërkesë të autoriteteve nigeriane dhe se disa anëtarë të ISIS-it u vranë gjatë operacionit.

