Lajme Rajon

“Dorëzim” në prag të zgjedhjeve, nga kundërshtarë të Listës Serbe në mbështetës të Vuçiqit

    Vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare dy kandidatë për deputetë nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë janë tërhequr nga gara. Në fund të fushatës, Slagjan Nikolçeviq dhe Gordana Mihailoviq kanë thënë se veprimet e kryetarit të partisë, Nenad Rashiq, po e dobësojnë pozicionin e popullit serb në Kosovë.

    Menjëherë janë rreshtuar në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Listës Serbe, që deri në tërheqje e kishin rivale.

    Nikolçeviq, në një postim në Facebook ka thënë se nuk do të jetë pjesë “e diçkaje që e vë popullin serb në rrezik”.

    “Si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Nenad Rashiqit jam thellësisht i pakënaqur me punën dhe pasivitetin e tij kur bëhet fjalë për vëllezërit tanë të burgosur padrejtësisht, të cilët ai nuk i ndihmoi në asnjë mënyrë, dhe si ministër në Qeverinë e Kosovës, ai duhej dhe mund ta kishte bërë këtë”, ka shkruar ai.

    Po ashtu e ka ngritur në piedestal presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    “Politika e ndjekur nga Serbia jonë dhe presidenti i saj Vuçiq mbetet për ne shpresa dhe mburoja e vetme që duhet ta mbajmë së bashku dhe më të bashkuar se kurrë më parë për të ruajtur popullin tonë dhe të ardhmen tonë në Kosovë”, ka thënë ai.

    Vendimet e tyre pasojnë ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ditë më parë, ka bërë thirrje që serbët e Kosovës ta votojnë Listën Serbe, subjekti kundërshtar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit. E të enjten, gjatë përurimit të një ure në Beograd, Vuçiq ka folur për rëndësinë e sigurimit të ulëseve nga Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës.

    Serbia madje ka ndërhyrë duke premtuar hapjen e 350 vendeve të reja pune në sistemin paralel shëndetësor në Kosovë, përmes konkurseve të shpallura rreth një javë para zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. Hapja e vendeve të punës para zgjedhjeve nuk është hera e parë që ndodh nga autoritetet serbe.

    Serbët në Kuvend kanë të rezervuar 10 vende, derisa nga zgjedhjet e 9 shkurtit për herë të parë njërën nga to e siguroi kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.

    “Është shumë e rëndësishme për ne të luftojmë që përfaqësuesit serbë të marrin vendin e tyre dhe të përfaqësohen në mënyrë që ata të përfaqësojnë interesat e popullit tonë, jo Albin Kurtin”, ka thënë Vuçiq.

    Edhe kandidatja tjetër nga partia e Rashiqit, Gordana Mihailoviq, për mediat serbe ka arsyetuar vendimin për largim, duke thënë se politika e Vuçiqit është ajo që garanton mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    Në lidhje me largimin e kandidatëve, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, por ai nuk ishte i qasshëm të enjten.

    E në një postim të kësaj partie në rrjetin social në Instagram thuhet se kanë qenë të përgatitur për largimin e ndonjë prej kandidatëve të tyre.

    “Ne e kemi ditur që kjo do të ndodhte. Me këtë lëvizje nuk na keni shkatërruar, na keni ndihmuar t’i forcojmë radhët tona”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

    Nuk është hera e parë që nga partitë serbe në Kosovë kandidatët tërhiqen për t’iu bashkuar ose rreshtuar krah Listës Serbe fare në prag të zgjedhjeve.

    Pak ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, nga gara u pati tërhequr edhe kandidati për kryetar të komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiq. Pas tërheqjes, Spasiq u rreshtua me Listën Serbe, parti me të cilën kishte shkuar në balotazh, duke e cilësuar atë si familje politike që bashkon popullin serb në Kosovë.